EDISON MEMOLLA NË BURG! Gjykata e Lartë shuan shpresat për liri për ish-kryebashkiakun e Rrogozhinës

Gjykata e Lartë ka shuar çdo shpresë lirie për ish-kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, pasi nuk ka pranuar rekursin e tij kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Ai kundërshtoi vendimin e shkallës së dytë, që e dënoi me 1 vit burg për korrupsion aktiv në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2022. Pas vendimit të formës së prerë, të dhënë më 9 shkurt të këtij viti, ai u vetëdorëzua në polici.

Memolla po vuan dënimin me një vit burg në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Rrogozhinë, ndërsa i kanë mbetur edhe pak muaj për ta përfunduar.

Gjykata dënoi po ashtu me nga 1 vit burg Ndriçim Tafxhafën dhe Blerim Xhamanin, ndërsa Isuf Tosku u dënua me 1 vit e 4 muaj burg, dënim që u konvertua në shërbim prove.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Edison Memolla, në kohën kur ishte kandidat për kryetar të Bashkisë së Rrogozhinës në zgjedhjet e pjesshme, ndikoi te Blerim Xhamani, një elektricist, që të mos i ndërpriste energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim që ky i fundit të votonte në favor të tij në zgjedhjet lokale të 6 marsit 2022.

Ndërsa i pandehuri tjetër, Ndriçim Tafxhafa, i premtoi një shtetaseje shlyerjen e detyrimeve ndaj OSHEE-së dhe strehim në këmbim të votës për Memollën.

Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku falsifikuan të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi në fakt nuk ia kishin ndërprerë energjinë elektrike abonentit debitor.

Aktualisht, Bashkia e Rrogozhinës drejtohet nga një kryetar i komanduar.

EMISIONET