Edhe një tjetër “pikëz e voçkël” mbushet me shtëpi

Edhe një tjetër “pikëz e voçkël” mbushet

Analisti dhe gazetari Mentor Kikia ka reaguar pas zjarrit të rënë në një kodër pranë Gjirit të Llamanit në Himarë, duke ngritur shqetësime për mënyrën e zhvillimit të zonave bregdetare.

Në një postim në rrjetet sociale, Kikia shkruan se sipërfaqja e prekur nga zjarri përkon me zonën ku thuhet se është dhënë një leje ndërtimi për një projekt me sipërfaqe rreth 101.200 metra katrorë.

Ai shprehet se nuk ka të dhëna për të pretenduar se zjarri ka qenë i qëllimshëm, por vë në diskutim modelin e ndërtimeve që po zhvillohen në vijën bregdetare.

“Edhe një tjetër “pikëz e voçkël” mbushet me shtëpi!

Një kodër pranë Gjirit të Llamanit në Himarë u dogj dje dhe gjatë natës së mbrëmshme. Mediat raportojnë se gjurma e zjarrti përputhet me gjurmën e një lejeje ndërtimi dhenë nga qeveria për një kompani, në një sipërfaqe 101.200 metra katrore. Nuk dua të shtyj më tej aludimin se zjarri ka qenë i qëllimshëm, dhe nuk di se çfarë fiton ai që e ka djegur pasi ka marrë lejen për zhvillimin e zonës. Por pash projektin e publikuar në media. Eshtë ky në foto.

Qartësisht në te lexohet se çfarë do të ndërtohet:

Projekti padyshim është miratuar si turistik. Ashtu siç dhjetra të tillë nga Velipojë deri në Butrint. Projekti parashikon vetëm një hotel, e gjithë pjesa tjetër e ndërtimit është vila dhe apartamente për shitje.

Pra, jo një “Resort gjigand dhe luksoz” për turizmin VIP. Por një fshat për të pasurit, që nuk i japin asgjë turizmit.

Qeveria vazhdon të dhurojë territore bregdetare për të ndërtuar shtëpi dhe jo kapacitete akomodimi për turizëm.

Ata shkëmbinj nuk janë pronë private. Brgedeti është pronë e gjithë shqiptarëve dhe duhet tu shërbejë të gjithëve. Po, aty mund të ndërtohet, por jo për luksin e 1% të njerëzve, por për interesat e 99% të të tjerëve”, shkruan Kikia./ CNA

EMISIONET