Për tek "5-a" drejtori i UKT Flauers Shoshi? Hap tender 100 MILIONË Lekë për kontrollin mendor të stafit

Për tek "5-a" drejtori i UKT Flauers Shoshi? Hap tender 100

Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Flauers Shoshi, ka ndërmarrë një hap të pazakontë përmes një prokurimi publik me fond limit 100 MILIONË Lekë me TVSH me objekt prokurimi të padëgjuar më parë në skajet e budallepsjes...

Ndonëse në dokumente shitet si një riorganizim i strukturës drejtuese, specifikimet teknike zbulojnë se bëhet fjalë për një kontroll të thellë neuropsikik dhe neurolinguistik të shefave dhe zyrtarëve të ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime Tiranë.

Tenderi do zhvillohet me 3 gusht 2026 dhe afati i zbatimit të shërbimit do të jetë 5 muaj (shtator 2026 – janar 2027).

Nëse emërtimi i kontratës sugjeron një efikasitet më të lartë të burimeve njerëzore dhe përmirësim të furnizimit me ujë të pijshëm në kryeqytet, objektivi i fshehur pas dokumenteve tregon një histori tjetër. Shërbimi parashikon matjen e rëndesave psikologjike, të shëndetit mendor dhe të ndikimit të sjelljes gjatë orarit të punës, si në zyra ashtu edhe në terren.

Për zbatimin e këtij kontrolli do të angazhohen katër ekspertë të fushave specifike. 3 ekspertë të psikometrisë, ku detyra e tyre do të jetë matja e ngarkesës psikologjike, sjelljeve, qëndrimeve, personalitetit dhe aftësitë mendore të zyrtarëve për të përballuar detyrën. 1 ekspert neurolinguist, specialist do të verifikojë etikën dhe nivelin e komunikimit të zyrtarëve, duke krahasuar matjet e shëndetit mendor me mënyrën se a/përballojnë ngarkesat në punë.

Kjo nismë vjen në një kohë kur Ujësjellësi i Tiranës vazhdon të përballet me akuza për korrupsion, mungesë investimesh, amortizim të rrjetit dhe pamundësi për të garantuar furnizim të rregullt me ujë në disa zona të kryeqytetit.

Në opinionin publik ngrihen pikëpyetje nëse ky kontroll vjen si pasojë e presionit apo panikut nga strukturat e drejtësisë dhe e sjelljes problematike të zyrtarëve.

Shpeshherë, drejtuesit e kësaj kompanie shtetërore janë akuzuar për fjalor fyes ndaj qytetarëve që kërkojnë llogari për faturimet fiktive dhe mungesën e ujit, por edhe për konflikte të brendshme mes tyre për poste, tenderë dhe ryshfete që u merren bizneseve të ndryshme.

Nisma e drejtorit Flauers Shoshi mbetet një lëvizje sa enigmte aq edhe ironike, duke lënë vend për ironi nëse mendja e zyrtarëve ka nevojë për kontroll para se të përballen me drejtësinë./JOQ

Shënim: Ky material nuk është prodhim editorial i "Oranews.tv", por është ripublikuar nga "JOQ" për qëllim informimin e publikut mbi një çështje të pretenduar me interes publik. Përmbajtja e tij, përfshirë çdo pretendim, deklaratë, akuzë dhe opinion i atribuohet "JOQ". "Oranews.tv" mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim, sqarim ose përgënjeshtrim nga personat, apo subjektet e përmendura në material, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

EMISIONET