Ç’po ndodh me të rinjtë shqiptarë? Tushi: Rasti i 3 vajzave në Fier, kafshëri! Adoleshentët nuk janë jetimë, fajtore edhe familja
Dhuna mes adoleshentëve po kthehet në një fenomen gjithnjë e më alarmant në shoqërinë shqiptare. Së fundmi, një video shokuese po qarkullon në rrjet, ku dy vajza të mitura shfaqen duke dhunuar një bashkëmoshatare të tyre.
Pamjet rëndohen edhe më shumë nga fakti se akti brutal është filmuar nga një tjetër adoleshent, duke dëshmuar një prirje të frikshme për të zgjidhur konfliktet përmes agresivitetit ekstrem.
I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në "ORA NEWS" , sociologu, Gezim Tushi, u shpreh se ngjarje të tilla po thellohen dita-ditës dhe po dëshmojnë një problem tepër të rëndë social.
Sipas analizës së tij, agresiviteti i të rinjve po arrin në nivele drastike, ku dhuna është kthyer në diçka irracionale që nuk ka lidhje me humanitetin, por ngjan me një instinkt kafshëror që dominon plotësisht mbi arsyen.
Sociologu Tushi nënvizon se mosha e adoleshencës ka specifikat e veta, si hendeku i madh midis pjekurisë fizike, zhvillimit seksual dhe asaj mendore, por përgjegjësia thelbësore mbetet te shoqëria. Sipas tij, 'mëkatarët' e vërtetë për këtë sjellje janë institucionet e edukimit, e veçanërisht familja.
Fëmijët nuk janë thjesht një produkt biologjik, por një produkt social i familjes. Kur familja, si 'fabrika' kryesore e edukimit human dhe qytetar dështon dhe përcjell modele të dhunshme, ajo prodhon adoleshentë të cilët riprodhojnë të njëjtin model brutal në shoqëri.
"Po, natyrisht ngjarja është shumë e rëndë, është tronditëse. Sigurisht nuk është rasti i parë që ndeshemi me këto probleme të adoleshencës dhe të dhunës së adoleshentëve e cila është bërë një limfë shumë e zgjeruar në shoqërinë shqiptare.
Fakti që përditë po ndeshemi me skena të tilla ku adoleshentët shfaqen agresivë ndaj njëri-tjetrit, bile ndonjëherë edhe në nivele të tilla sikurse ishte rasti i Fierit, ku adoleshentët janë gati të pamëshirshme ndaj shoqeve të tyre, duke ushtruar një dhunë e cila është gati-gati iracionale, një dhunë që nuk është fare, nuk ka fare lidhje me humanitetin, por është një lloj, një lloj zoofilie, një lloj një ndjenjë kafshërie, një lloj dominimi të instikteve mbi arsyen.
Problemet me adoleshentët kanë filluar të agravohen shumë në shoqërinë shqiptare. Fakti që në mënyrë enumerative ne kemi ngjarje të herëpashershme të tilla të dhunës së adoleshentëve, flet për një problem të madh social të shoqërisë.
Në fakt globalisht ka një shqetësim i cili ka ardhur, jo vetëm i importuar si të thuash tek ne, por edhe organikisht. Dhe kjo ka të bëjë me situatën e adoleshentëve dhe me nivelin e dhunës që ata shfaqin, agresivitetin që shfaqin.
Agresiviteti i adoleshentëve është një çështje që duhet konsideruar ontologjikisht e lidhur me moshën e tyre, dhe adoleshentët janë përballë dy rreziqeve shumë të mëdha të cilat ne si shoqëri, si familje, si shkollë ose nuk i vlerësojmë sa duhet, ose i nënvlerësojmë si komponent moshor duke mos i vlerësuar aq sa duhet.
Së pari, problemi i parë është ajo që ka të bëjë me specifikën moshore të adoleshentëve dhe kjo duhet kuptuar mirë. Adoleshentët janë në moshën e tyre dhe kanë problemet e tyre, që lidhen me statusin e tyre social, që lidhen me strukturën e tyre fiziologjike, moshore, që lidhen me gjithë komponentët e tjerë.
Mosha e adoleshencës është mosha e dukjes, mosha e forcës, mosha kur ata e konsiderojnë veten të pjekur, kur duan të dominojnë, kur kanë rivalitete, kjo është mosha e tyre. Kur raporti midis pjekurisë biologjike, pjekurisë seksuale dhe pjekurisë mendore nuk janë gjithmonë në ekuilibër dhe në mënyrë të barabartë.
Dhe kjo bën që herë pas here, duke qenë jo fort të formuar nga pikëpamja humane dhe nga pikëpamja sociale dhe nga pikëpamja intelektuale, shpeshherë tek këta dominojnë instiktet. Fakti që tek adoleshentët po dominojnë instiktet, janë pikërisht ato arsye që kemi skena të tilla të dhunshme që po bëhen fenomen shumë shqetësues në shoqërinë tonë.
Së dyti, adoleshentët këta janë, kurse mëkatarë për këtë situatë të dhunës së adoleshentëve në shoqërinë tonë, jemi ne. Janë institucionet e formimit dhe të edukimit. Së pari dhe mbi të gjitha është familja.
Adoleshentët nuk janë jetimë, nuk janë vetëm thjesht produkt biologjik i një familjeje të caktuar, por janë dhe produkt social i një familjeje të caktuar. Adoleshentë që rriten në familje të dizekuilibruara, në familje që nuk funksionojnë edukativisht, ku stofi edukativ i tyre është i tronditur, doemos do formohen adoleshentë të tillë, e para.
E dyta, në qoftë se rriten në një familje që e ka dhunën, limfën e dhunës qarkulluese brenda familjes, të dhunshëm do bëhen dhe adoleshentët e tyre. Pra, në këtë pikëpamje, adoleshentët e sotëm kanë këto probleme sepse fabrika, në thonjëza metaforikisht, fabrika kryesore sociale e formimit dhe edukimit human, qytetar, e sjelljes së tyre, që është familja, ka filluar të pësojë ruptura dhe në këtë kontekst përgjegjësit kryesorë për këto nivele të shfaqjes së dhunës, për këto sjellje të adoleshentëve në shoqërinë"-u shpreh ai.
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE



