BKH i “vjedh” telefonin Erjola Hoxhës, bisedat e kontaktet plus galeria dhe foto në dorë të prokurorëve

BKH i “vjedh” telefonin Erjola Hoxhës, bisedat e kontaktet plus

Të gjitha komunikimet e kryera me telefonin personal të Erjola Hoxhës, tashmë janë në dorë të SPAK dhe oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Aparati celular është marrë nga BKH dhe së bashku me të është marrë kodi hapës i tij dhe PIN-i i kartës së këtij telefoni. “Ora News” mëson se telefoni i është marrë Erjola Hoxhës në ambientet e një parkimi të kompanisë “4IG Group”.

Telefoni është dorëzuar nga vetë Erjola Hoxha, e cila pretendon se ia ka dhënë oficerëve pas frikës së mundshme dhe kërcënimeve se mund ta arrestonin. Tashmë të gjitha bisedat, kontaktet dhe galeria e fotografive dhe videove, janë në dorë të SPAK.

“…dorëzimi i fjalëkalimeve u bë i mundur kundër vullnetit të saj dhe pa pasur mundësinë e një zgjedhjeje tjetër, ajo pati frikë se mund ta arrestonin për shkak të kundërshtimit të autoriteteve gjyqësore…” - thuhet në ankimin e depozituar në gjykatë.

Sipas ankimit të depozituar në sekretarinë e gjykatës nga avokatët Henrik Ligori dhe Ardian Vishaj, lijimi i kontrollit personal ndaj Erjola Hoxhës, është kryer në kundërshtim me ligjin. Sipas tyre, 3 persona të vetëparaqitur si hetues të BKH (dy vajza dhe një djalë), po e prisnin Erjola Hoxhën, para zyrave të shoqërisë "4ig Group", ku ajo kryen detyrën e Drejtorit të Marketingut Strategjik për Ballkanin Perëndimor.

Pasi u prezantuan, i thanë se duhej të ekzekutonin një vendim gjykate për kontrollin e saj personal dhe i kërkuan t'u dorëzonte telefonin celular, fjalëkalimin e hapjes dhe PIN-in e kartës SIM.

“…pas dorëzimit të telefonit dhe të fjalëkalimeve, hetuesit i bënë të ditur se telefoni i saj ishte vendosur nën sekuestro…” - thuhet në ankim.

Mandej, i bënë të ditur se duhej të ekzekutonin edhe një vendim kontrolli të banesës së saj. I sugjeruan që të zbrisnin në garazh, ku ajo porsa kishte parkuar makinën, duke u shprehur se nuk ishte mirë që të rezistonte, me argumentin që "…të mos bënin show në mjedise publike…".

Pasi zbritën në garazh, shkuan së bashku tek makina, morën në dorëzim (sekuestruan) çelësat e banesës dhe aty mbajtën procesverbalin e kontrollit personal. Në vijim, e urdhëruan që të hipte në automjetin e tyre, një “Dacia” ose “Seat”, në ngjyrë të bardhë dhe u nisën drejt banesës tek Gjiri i Lalëzit.

Largësia e rrugës nga selia e shoqërisë "4ig Group" deri tek kompleksi "Vala Mar" tek Gjiri i Lalëzit, ku ndodhet banesa e kontrolluar, është 41 km dhe, në kushtet e trafikut normal zgjat rreth 1 orë. Për shkak të trafikut të ngarkuar, udhëtimi zgjati rreth 1 orë e 20 minuta.

Rreth orës 11.10, Hoxha u tha hetuesve se kishte një fëmijë të vogël, ndaj duhej të telefononte dadon ose bashkëjetuesin e saj, deputetin Arben Ahmetaj. Hetuesit i lejuan që, me telefonin e tyre, të kryente një thirrje drejt bashkëjetuesit të saj.

Para banesës dykatëshe, tek kompleksi "Vala Mar" prisnin tre persona të tjerë, pranë një automjeti tjetër, në ngjyrë të bardhë, të paraqitur si hetues të BKH. Hetuesit që e shoqëruan hapën derën e banesës, ndërkohë që tre hetuesit e tjerë filluan kontrollin në mjediset e ndryshme të banesës.

Hetuesit shoqërues mbanin nën mbikëqyrje Erjola Hoxha, ndërkohë që kryhej kontrolli nga kolegët e tyre. Rreth orës 12:12 është paraqitur në banesë bashkëjetuesi i saj, Arben Ahmetaj, i cili u prezantua dhe hetuesit e lejuan që të ishte i pranishëm gjatë kontrollit.

“…procedura e ndjekur nga hetuesit e BKH-së për ekzekutimin e vendimit për lejimin e kontrollit, ka qenë e paligjshme, ka cenuar lirinë e Hoxha në kundërshtim me ligjin, dinjitetin njerëzor të saj, të drejtën e mbrojtjes ligjore të çiftit të lidhur në bashkëjetesë dhe privatësinë e komunikimeve telefonike…” - thonë avokatët.

Sipas tyre gjykata urdhëronte që personit t'i dorëzohej kopja e vendimit të kontrollit dhe të njihej me të drejtën për t'u asistuar nga një person i besuar apo një mbrojtës. Në momentin e kontaktit të parë me të, hetuesit e BKH- nuk i vunë në dispozicion vendimin e kontrollit personal dhe nuk i bënë të ditur të drejtën për të kërkuar praninë e një personi të besuar apo të një mbrojtësi ligjor, shprehen avokatët.

Znj.Hoxha nuk iu garantua e drejta për të pasur praninë e një personi të besuar ose te një mbrojtësi të zgjedhur, para se të fillonte kontrolli i banesës. Ajo nuk kishte në dispozicion asnjë mjet komunikimi me të cilin të kontaktonte avokatët e saj (telefoni celular iu sekuestrua menjëherë). Me këtë të drejtë nuk u njoh as bashkëjetuesi i saj, z. Ahmetaj.

Nga ora 11." deri më 12.", për rreth një orë, kontrolli në mjediset e banesës u krye krejtësisht jashtë vëmendjes së saj: banesa është dykatëshe, hetuesit u shpërndanë në mjediset e saj, ndërkohë që znj. Hoxha nuk mund të ndiqte nga afër kontrollin, pasi mbikëqyrej nga hetuesit e tjerë. Gjatë kontrollit, ajo iu nënshtrua pyetjeve provokuese të hetuesve lidhur me sendet që ndodheshin në banesë dhe mbi koston e tyre;

Shoqërimi i Erjola Hoxha dhe mbajtja e saj nga hetuesit e BKH-së në kushtet e privimit të lirisë, pa vendim gjyqësor lejues, për rreth 1 orë e 20 minuta (koha e udhëtimit nga zyra e saj deri tek banesa), është një akt i kryer në kundërshtim me të drejtën e saj për liri e siguri.

“…veprimi i oficerëve të BKH-së për të detyruar Erjola Hoxhën, për të deklaruar fjalëkalimin e telefonit dhe PIN e kartës SIM është një akt që cenon të drejtën e saj për privatësinë e komunikimeve…” - thonë avokatët.

EMISIONET