Berisha: SKAP i partisë po mbyll aferën e djegësave, Rama ka firmosur kontratë për veten e tij
Kryetari i PD-se, Sali Berisha akuzon SPAK se po bën gjithçka për të mbyllur aferën e djegësave përgjegjës i të cilit është Edi Rama, Veliaj Ahmetaj e Agaçi.
Sali Berisha: "Shqipërinë e kanë ngërthyer si një gaforre e tmerrshme, aferat korruptive të Edi Ramës, qeveritarëve dhe enturazhit familjar.
SKAP-i i partisë, po bën gjithçka për të mbyllur aferën e djegësave, për ta shitur si një aferë të disa punonjësve të kësaj sipërmarrje gjigante të krimit ekonomik të Edi Ramës, Agaçit, Ahmetajt, Veliajt dhe Kokës.
Inceneratorët janë sipërmarrje direkte e Ramës, Agaçit, Ahmetajt, Veliajt dhe Kokës. Janë, sepse Edi Rama, për të mbushur thasët me euro me grupin e tij mafioz, organizatën e strukturuar kriminale, pranon të firmosë, në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, në kundërshtim flagrant me qëndrimin e Autoritetit të Prokurimeve Publike, që i thotë se procedura ‘negociatë e mbyllur’ nuk ekziston në ligjin shqiptar, me fjalë të tjera, ekziston vetëm në kodet e mafias.
Pavarësisht kësaj shkrese, lakmia, babëzia dhe pangopshmëria për vjedhjet, paratë, e shtyjnë kryeministrin të firmosë fap-fap-fap siç do deklaronte në Komisionin Parlamentar.
SKAP-i i partisë përpiqet që mbulojë këtë krim, por nuk mbulon dot, sepse përveç firmës antiligjore që Edi Rama vendosi për ndërmarrjen e tij, ai vendosi bashkë me Agaçin, të fusë duart e zeza në fondin rezervë të Këshillit të Ministrave dhe të transferojë paratë në Ministrinë e Mjedisit për inceneratorin kur ajo nuk kishte asnjë qindarkë të vetme për këtë objekt.
Edi Rama është përgjegjës më kryesor, se ka pranuar të firmosë një kontratë për veten e tij.