BE shqetësim për lirinë e medias, Soreca: Të ndalet frikësimi i gazetarëve, të sigurohet vetërregullimi i mediave online



Ndërsa prezantoi gjetjet e progres-raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, kreu i delegacionit të BE-së në vendin tonë Luigi Soreca nënvizoi përkeqësimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së fjalës në vend.

Në konferencën e përbashkët me Ramën, ai tha se duhen ndalur sulmet dhe fushatat e baltosjes ndaj gazetarëve.

Soreca: Më lejoni të flas për një çështje që ka shqetësime, një nga këto është liria e shprehjes, e fjalës. Kjo atmosferë e sulmeve verbale, fushata baltosje dhe veprime frikësimi ndaj gazetarëve nuk duhet të vijojnë. Më shumë duhet bërë për të patur pavarësinë e rregullatorit të medias dhe fuqizimin e pavarësisë dhe standardeve profesionale dhe aspektin financiar të transmetuesit publik.

Soreca theksoi se vetërregullimi i mediave online duhet të sigurohet dhe parlamenti dhe qeveria, të dala nga zgjedhjet e 25 prillit, duhet të angazhohen për të siguruar ndryshime të mundshme për ligjin e medias që duhet të jenë në përputhje me rekomandimet e Venecias.

Pakicat janë një tjetër shqetësim që evidentohet në raport.

Soreca: Një fushë tjetër ka të bëjë me pakicat. Duhet të miratohen nënligjet me këtë fushë dhe procesi i regjimit të pronave, shpronësimi dhe kompensimi duhet të avancojë.

Sa i takon kritereve ekonomike, Soreca, tha se në raport thuhet se pas krizave si qeveria dh BSH kanë marrë veprime të shpejta dhe të duhura për të mbështetur biznesin, familjet dhe sektorin e shëndetësisë pas Covid 19.

EMISIONET