Arrestohen dy ish truprojet e Tahirit, njëri u kap në Gjermani, tjetri në Francë
Ka zgjatur vetëm pak javë arratia e dy ish-truprojave të Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri. Prokuroria e Posaçme ka bërë me dije, se dy të shpallurit në kërkim janë prangosur pas vendimit të Gjykatës së Posaçme që ka vendosur masën arrest me burg , pasi akuzohen si pjesë të organizatave kriminale që merren me trafik të lëndëve narkotike.
Fillimisht informacionet ishin se dy të kërkuarit strehoheshin në Spanjë, por kërkimet në këtë vend nuk sollën rezultat për prangosjen e tyre derisa u lokalizua vendndodhja aktuale.
Mësohet se Hekuran Marku u arrestua në Gjermani, ndërsa Agustin Deda në Francë, ndërsa të dy mësohet se i janë drejtuar vendeve respektive kërkesa për të kërkuar azil.
Ata akuzohen për trafik droge dhe ishin pjese e grupit kriminal disa nga te cilët u arrestuan gjate operacionit ndërkombëtar “Shpirti“ te finalizuar me 2 korrik.
Dy truprojat e ish ministrit të Brendshëm te arrestuar nga Interpoli me kërkesë të SPAK, pritet të ekstradohen në Shqipëri për t'u përballur me drejtësinë.
Prokuroria e Posaçme ka bërë gati gjithë dokumentacionin e nevojshëm duke ia përcjelle me anë të ministrisë së Drejtësisë autoriteteve të vendeve përkatëse për të kërkuar ekstradimin e tyre .
Ndërkohë pjese e dosjes “Shpirti” janë dhe 18 persona te lënë në burg, 4 të tjerë janë në arrest shtëpie mes të cilëve dhe prokurori Maksim Sota si dhe tre ish punonjës policie.
Autoritetet italiane dhe ato shqiptare ekzekutuan 28 urdhër-arreste për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe korrupsion.
Mes të arrestuarve kishte dhe zyrtarë të lartë, prokurorë dhe përfaqësues të pushtetit lokal, ndërsa janë sekuestruar miliona euro asete. Ishte dëshmia e 4 të penduarve të drejtësisë që pranuan të bashkëpunojnë me prokurorinë duke rrëfyer për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë ata që zbërthyen grupin.
Ata kanë dhënë informacione për 3 vite, pas të cilave SPAK, në bashkëpunim me Antimafian italiane, Eurojust dhe DIA, kanë arritur të dokumentojnë aktivitetin kriminal të 4 grupeve që trafikonin drogë nga Shqipëria drejt Italisë dhe Spanjës.
Ndërkohë hetimet për këtë grup vijojnë dhe burime nga Prokuroria e Posaçme bëjnë me dije se ka edhe persona të tjerë të përfshire.

