Arbër Abazi "kullufit" 1.3 milionë euro të tjera nga "çerri" Joanid Myzyri

Arbër Abazi "kullufit" 1.3 milionë euro të tjera nga

Kur vjen puna te ndarja e parave publike, "mrekullitë" në Shqipëri nuk kanë të mbaruar. Ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) zbarkon për kontrolle në zyrat dhe banesat e tij, biznesmeni i njohur i tenderave, Arbër Abazi, vazhdon të jetë i preferuari i shtetit.

Një tender i hapur së fundmi nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, nën administrimin e Jonaid Myzyrit, ngre hije të forta dyshimi për një konkurs të paracaktuar dhe tallje me taksat e qytetarëve shqiptarë.

Objekti i prokurimit me numër reference REF-82307-04-16-2026 është "Loti 1: Shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare për Bashkitë Shkodër, Lezhë, Durrës, Kavajë, Pogradec". Një procedurë e hapur, mbi kufirin e lartë monetar, ku në lojë ishte një fond limit prej 108,236,213.88 Lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.4 milionë euro me TVSH.

Arbër Abazi "kullufit" 1.3 milionë euro të tjera nga

Matematika e dyshimtë: Fiton oferta më e shtrenjtë!

E gjithë magjia e këtij tenderi qëndron te mënyra se si është përzgjedhur fituesi. Sipas dokumentacionit zyrtar të procedurës, në garë kanë marrë pjesë 3 kompani. Sipas logjikës së garës dhe ligjit të prokurimeve, fitues duhet të shpallej biznesi që ofronte shërbimin me çmimin më ekonomik për shtetin.

Por jo. Jonaid Myzyrit ka vendosur të bëjë të kundërtën: ka skualifikuar dy ofertat e tjera më të ulëta dhe ka shpallur fituese pikërisht kompaninë ALKO IMPEX CONSTRUCTION, në pronësi të Arbër Abazit, e cila kishte paraqitur ofertën më të lartë në garë!

Abazi ka rrëmbyer plot 105,215,471.33 Lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.3 milionë euro me TVSH. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë matematike, vlera fituese e "Alko Impex" del plot 97.21% të fondit limit. Ky afrim kaq kirurgjikal me tavanin e parave të vëna në dispozicion është një nga treguesit më klasikë në Shqipëri që tregon se gara ka qenë thjesht një fasadë dhe fituesi ka qenë i paracaktuar në zyra përpara se të hapej sistemi.

Arbër Abazi "kullufit" 1.3 milionë euro të tjera nga

Arbër Abazi: "Mbreti" i paprekshëm i tenderave

Për këdo që ndjek fatin e parave publike, ky emër nuk është surprizë. Arbër Abazi nuk është thjesht një biznesmen, por nipi i ish-deputetit socialist Sadri Abazi dhe i përfolur për lidhje të forta e krushqi me kupolën e ministrisë së Infrastrukturës. Përmes kompanive të tij, ai ka siguruar një monopol të frikshëm de-facto në shërbimet e pastrimit urban dhe mirëmbajtjes rrugore në të gjithë vendin, duke arkëtuar mbi 60 milionë euro nga taksat tona.

Kujtojmë se vetëm pak kohë më parë, SPAK ushtroi kontrolle të befasishme në banesën dhe zyrat e Abazit në kuadër të dosjeve të korrupsionit me lotet e Unazës së Madhe dhe aferave të ARRSH-së. Emri i tij doli në përgjimet e prokurorisë ku dyshohej për skema të paracaktimit të fituesve dhe shpërndarje ryshfeti.

Por siç duket, as kontrollet e BKH-së, as dosjet e SPAK-ut dhe as parimi bazë i kursimit të parasë publike nuk bëjnë përshtypje përpara "detyrimit" që institucionet kanë për t'i dhënë tenderat klientëve të vjetër të pushtetit. Pastrimi i rërës së plazheve tona këtë verë do t'u kushtojë shqiptarëve maksimalisht shtrenjtë, vetëm që paratë të shkojnë në xhepin e duhur. /Marrë me të njëjtin titull nga "JOQ Albania"

Arbër Abazi "kullufit" 1.3 milionë euro të tjera nga

Shënim: Ky material nuk është prodhim editorial i "Oranews.tv", por është ripublikuar nga "JOQ Albania" për qëllim informimin e publikut mbi një çështje të pretenduar me interes publik. Përmbajtja e tij, përfshirë çdo pretendim, deklaratë, akuzë dhe opinion i atribuohet "JOQ Albania"-s. "Oranews.tv" mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim, sqarim ose përgënjeshtrim nga personat, apo subjektet e përmendura në material, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

EMISIONET