Maroku përballë Francës, Josel Shtrepi zbulon dobësinë që mund t’i kushtojë eliminimin

Josel Shtrepi ishte i ftuar në emisionin “Ora e Botërorit”, ku analizoi përballjen mes Francës dhe Marokut, një duel që ka tërhequr vëmendjen e gjithë tifozëve pas rrugëtimit historik të skuadrës afrikano-veriore në turne.

Në analizën e tij, Shtrepi u ndal te forma e Marokut dhe faktorët që mund të ndikojnë në fatin e kësaj përballjeje. Sipas tij, pavarësisht organizimit dhe rezultateve pozitive, skuadra marokene ka mbështetur shumë nga suksesi i saj te një lojtar i vetëm.

“Deri më tani Maroku ka vetëm një lojtar që po mban peshën e kësaj ndeshjeje dhe është portieri Bono, i cili ka bërë katër pritje fantastike, duke përfshirë edhe penalltinë”, u shpreh Shtrepi.

Portieri maroken është kthyer në një nga figurat kryesore të skuadrës, por sipas analizës së Shtrepit, kjo nuk mund të jetë garanci përballë një ekipi si Franca, që ka shumë alternativa dhe cilësi në çdo repart.

Një tjetër problem që ai evidentoi te Maroku lidhet me reagimin në momentet kur skuadra vendoset nën presion. Sipas tij, afrikanët nuk kanë treguar gjithmonë aftësi për të ndërtuar kundërsulme të rrezikshme kur përballen me vështirësi gjatë ndeshjes.

“Pavarësisht elementëve të mirë që ka Maroku, mendoj se ka një problem karakterial. Kur haset nën presion, nuk është i aftë të bëjë kundërsulme”, tha Shtrepi.

Përballë kësaj situate, ai sheh Francën në avantazh dhe beson se kampionët në fuqi kanë mundësi të kalojnë më tej.

“E shikoj një ndeshje shumë të thjeshtë për Francën, në kuptimin që do ta kalojë. Jam i bindur që Franca kalon”, u shpreh ai.

Në fund të analizës, Shtrepi u ndal edhe te faza ku ka hyrë kampionati, duke vlerësuar se çdo përballje tashmë është vendimtare dhe gabimet mund të sjellin menjëherë eliminimin.

 

EMISIONET