Apeli i Posaçëm refuzon ankimin e të arrestuarve për atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja, avokati: Rekurs në Gjykatë të Lartë
Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar refuzoi ankimin e 5 të arrestuarve të operacionit "Komploti" në kuadër të hetimeve për zbardhjen e atentatit të 2019 ku mbetën të plagosur ish-prokurori Arjan Ndoja dhe shtetasi Aleksandër Laho dhe u vra shoferi Andi Maloku.
Shkak për refuzimin e ankimimit është bërë depozitimi i tij jashtë afateve.
"Gjykata e Apelit të Posaçëm për krimin e organizuar dhe korrupsionin nuk pranojë ankimin me argumentimin se është bërë jashtë afatit. Ne e kemi bërë brenda afatit. Do bëjmë rekurs në Gjykatë të Lartë që të dalë me një vendim unifikues për këtë praktikë gjyqësore."
Shtetasit Bashkim Haxhija, Marsel Deçkaj, Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, Endrit Sinani dhe Juljan Pjetri do të qëndrojnë në burg deri në fund të hetimeve.
Ndërkohë në kërkim nga SPAK janë shpallur Plaurent Dervishaj, Ramazan Rraja, Julian Meça dhe shtetasi A.Sh, shok i ngushtë i Dervishaj.
Burimet bëujnë me dije se këta persona pas dështimit të atentatit të vitit 2019 në mbikalimin e Shkozetit po planifikonin një tjetër atentat ndaj Aleksandër Lahos.
Zbardhja e zinxhirit të ngjarjeve tre vite më vonë është bërë falë dëshmisë së një bashkëpunëtori të drejtësisë.
Përplasja mes grupeve ka pasur si shkak konkurrencën në aferat me pronat në bregdet.

