Dështimi i atentatit në mbikalimin e Shkozetit, përgjimet zbuluan se banda planifikonte një tjetër sulm ndaj "Rrumit të Shijakut"
Aleksandër Laho i shpëtoi atentatit të organizuar ndaj tij në kohën kur po lëvizte në makinë me prokurorin Arjan Ndoja më 1 nëntor 2019, por grupi rival i tij po organizonte një sulm të dytë. Ky fakt ka dalë nga përgjimet e kryera prej SPAK, gjatë hetimit që u finalizua me arrestimin e 5 personave dhe shpalljen në kërkim të katër të tjerëve. Gjykata la në burg pa afat pesë të dyshuarit ndërsa në kërkim është Plarent Dervishaj dhe tre të dyshuar të tjerë.
Një atentat i dytë po organizohej ndaj Aleksandër Lahos nga grupet kriminale rivale pas dështimit të sulmit me armë ndaj personazhit të njohur në Durrës dhe prokurorit Arjan Ndoja më 1 nëntor 2019.
Përgjimi i personave të përfshirë në hetimin e SPAK, ka zbardhur planet e tyre për një sulm të dytë ndaj Aleksandër Lahos me qëllim ekzekutimin e tij.
Gjykata e Posaçme caktoi masën burg pa afat deri në fund të hetimeve për 5 personat e arrestuar për atentatin e 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës ku u plagos Arjan Ndoja, u vra shoferi i tij Andi Maloku dhe u rrezikua jeta e Aleksandër Lahos që ndodhej në automjetin e qëlluar me breshëri.
Avokati i Akil Ndërjakut tha pas seancës se do ta apelojnë vendimin e shkallës së parë.
"U paraqitën disa fakte nga organi i akuzës. Ne patëm kundërshtimet tona. Tani do kundërshtojmë vendimi e Gjykatës në Gjykatën e Apelit dhe të shohim."
Në dosjen e SPAK thuhet se Bashkim Haxhija, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku dhe Juljan Pjetri janë organizatorët dhe bashkëpunëtorët në sulmin me armë ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, Aleksandër Lahos dhe Andi Malokut.
Sipas hetuesve, Plarent Dervishaj, Endrit Sinani, Julian Meçaj, shtetasi A.Sh dhe Ramazan Rraja, pas dështimit të atentatit të 2019 në mbikalimin e Shkozetit, po planifikonin një tjetër atentat ndaj Aleksandër Lahos.
Grupi hetimor i SPAK kishte planifikuar ti arrestonte të dyshuarit fundvitin e kaluar por pas informacioneve se ata ndodheshin jashtë Shqipërisë, është vendosur që të mos veprohej me qëllim që dosja të mos dekonspirohej.
Personat e arrestuar dhe të shpallur në kërkim akuzohen nga SPAK, se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas prokurorisë, e gjithë përplasja mes dy grupeve ka ardhur si pasojë e konflikteve për pronat në bregdet.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

