Anti-"Big Brother"/ Çmontohen 15 kamera tek shtepia e Emiljano Shullazit dhe Pajtim Serjanit

Një pjesë e mirë e rrugëve dhe hapësirave publike në Tiranë, kanë qenë të vëzhguara nga grupet kriminale përmes kamerave me cilësi të lartë. 155 të tilla janë çmontuar në ditën e parë të operacionit të policisë në gjithë kryeqytetin duke proceduar 37 persona të dyshuar si pronarë të tyre. 15 prej këtyre kamerave mësohet se janë hequr nga zona rreth banesës së Emiljano Shullazit.

Një numër i konsiderueshëm prej 155 kamerash vëzhguese të vendosura në mënyrë të paligjshme, janë hequr nga rrugët dhe hapësirat publike të Tiranës, gjatë ditës së parë të operacionit “Fijet”.

Policia publikoi bilancin e kontrolleve të kryera gjatë ditës së parë të operacionit ku sipas burimeve zyrtare mësohet se 15 kamera janë çmontuar nga zona rreth shtëpive të shtetasve të dënuar, Emiljano Shullazi dhe Pajtim Serjani.

Policia bëri të ditur se kamerat ishin instaluar mes shtyllave, në muret e pallateve, duke kontrolluar një pjesë të mirë të rrugëve dhe hapësirave ku ndodhen banesat e dy personave në zonën e Ish-parkut të autobusëve.

Burimet zyrtare thanë se 37 persona janë proceduar penalisht për vendosjen e paautorizuar të kamerave në disa lagje të kryeqytetit.

Ndërkohë në njoftimin zyrtar të policisë, thuhet se vendosja e pajisjeve të vëzhgimit ishte bërë me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë.

Pas çmontimit të 155 kamerave në gjithë territorin e Tiranës, policia tha se ka nisur punën për identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit për të cilin janë përdorur kamerat e vendosura në mënyrë të paligjshme.

Ky aksion filloi dy javë më parë në Shkodër me heqjen e dhjetëra kamerave nga rrugët dhe hapësirat publike të qytetit, ku dyshohet se mjetet vëzhguese ishin vendosur nga grupet kriminale për vëzhgimin e lëvizjes së policisë dhe kundërshtarëve.

Më pas kontrollet vijuan në qytete të tjera si Durrësi dhe Korça ku rezultoi se kamera të tilla ishin në pronësi të personave të dënuar.

Aksioni ka vijuar edhe në Vlorë, Fier dhe së fundi në Elbasan ku janë çmontuar dhjetëra kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme në rrugë dhe hapësirat publike.


EMISIONET