1 në 8 persona probleme me veshkat/ Ulet mosha e të prekurve. Mjekët: Stili i jetesës, ndikim kryesor
Sëmundjet e veshkave po prekin shqiptarët në masë, 1 në 8 persoan raportohen si pacientë që vuajnë nga ky organ. Mjekja Nefrologe, thotë se vitet e fundit është vënë re edhe ulja e moshës së të prekurve, nga mbi 70 vjec, në mbi 45 vjeç.
Një ndër 8 persona në Shqipëri vuajnë nga sëmundjet e veshkave.
Mjekja Nefrologe Benereta Hoxha thotë se ndikim të madh ka dieta ushqimore që konsumojmë, aktivitetet fizike dhe sëmundjet si diabeti, apo edhe tensioni.
Benereta Hoxha, mjeke nefrologe: “Fakti se 1 në 8 persona ka probleme serioze me veshkat, tregon se rritja është goxha e lartë. Dihet që diabeti është kthyer në një epidemi dhe 40 % e pacientëve diabetikë bëjnë dëmtime. E dyta, hipertensioni. Dhe janë pastaj sëmundjet e vetë veshkës, të cilat janë infeksionet e shpeshta dhe të patrajtuara siç duhet. Janë dëmtime të veshkës që mund të vijnë nga infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, apo edhe sëmundjet e lindura”.
Gjatë viteve të fundit është vënë re një ulje e moshës së pacientëve që vuajnë prej këtyre sëmundjeve, duke prekur edhe ata mbi 45 vjeç.
Benereta Hoxha, mjeke nefrologe: “Sëmundjet e veshjave prekin çdo moshë, por sigurisht që dëmtimi kronik vjen në moshat mbi 45 – 50 vjeçare. Përpara ka qenë në moshat mbi 70 vjeç, sepse dihet që funksioni renal mbas moshës 70-vjeçare normal që do të bjerë, por bie shumë gradualisht. Kurse sot me dëmtimet që jep diabeti apo hipertensioni është ulur mosha e të dëmtuarve nga sëmundjet renale”.
Shenjat më të dallueshme janë lodhja e trupit, urinimi i shpeshtë gjatë natës, dhe në disa raste edhe enjtja e syve.
Benereta Hoxha, mjeke nefrologe: “Janë shenja të përgjithshme: një lodhje, një tension që sapo ka filluar, mund të ndjejmë një urinim të shpeshtë, ose një rëndim të mesit dhe ia vëmë fajin lodhjes së ditës dhe nuk vijnë të bëjnë vizitën, ose të bëjnë një analizë urine”.
Për fëmijët deri në moshën 1 vjeç, mjekët këshillojnë të mos e përdoriun kripën në gatim, e pas kësaj në sasi shumë të vogla.