Vdes 17 vjeçari në fushën e blertë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin shqiptar, pasi futbollisti 17 vjeçar i ekipit të të rinjve të Kukësit, Ilirjan Thaçi, është ndarë nga jeta pasi ka rënë pa ndjenja gjatë ndeshjes miqësore që skuadra e tij po zhvillonte me ekipin kosovar të Prizrenit.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin verior të Kukësit në orën 18:00 të ditës së djeshme. Në minutën e 10-të të takimit, mbrojtësi ka rënë në tokë pa ndjenja, ndërsa sipas asaj që raportohet nga të pranishmit, nuk ka patur kontakt as me topin dhe as me ndonjë prej kundërshtarëve.
Mjekët e të dy skuadrave kanë tentuar menjëherë ti japin ndihmen e parë, por pa sukses. Edhe transportimi i tij drejt spitalit të Kukësit nuk ka shërbyer për asgjë, pasi futbollisti 17 vjeçar ka mbërritur atje i pajetë.
Tashmë pritet që mjekët të vërtetojnë shkaqet e kësaj vdekje tragjike që ka tronditur futbollin dhe që ka marrë jetën e lojtarit adoleshent që prej kohësh i ishte përkushtuar me pasion këtij sporti, por që ëndrra për tu bërë një lojtar i madh u pre në mes në moshën më të bukur.
Kjo vdekje e papritur ka bërë që Federata Shqiptare e Futbollit të vendos që të gjitha ndeshjet që zhvillohen këtë fundjavë të fillojnë me një minutë heshtje në shenjë respekti ndaj lojtarit 17 vjeçar që u nda nga jeta në këtë ngjarje tragjike.
Stafi i radiotelevizionit “Ora News” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familiarëve të viktimës.
