Vatikan, mbyllet Kapela Sistine
Kapela Sistine është mbyllur për vizitorët,ndërsa ka filluar puna për përgatitjen e konklavës, ku kardinalët nga e gjithë bota do të mblidhen për të zgjedhur Papën e ri, pas dorëheqjes së Benediktit XVI muajin e kaluar.
Në mbledhjet e fshehta pritet të votojnë 115 kardinalë dhe Vatikani tha se ishte duke pritur mbërritjen e pesë kardinalëve të fundit, para se të caktonte datën për zgjedhjet.
Kapela Sistine, ku gjenden afreskët kryevepra të Mikelanxhelos, u mbyll për vizitorët, duke dhënë kështu një nga shenjat e para të dukshme të afrimit të konklavës.
Puna për përgatitjen përfshin instalimin e një tavani artificial për të mbuluar pajisjet përgjuese të sigurisë si dhe instalimin e një sobe ku do të digjen fletëvotimet.
Procesi i zgjedhjes ndodh pasi Papa Benedikti i 16 dha dorëheqjen pas 8 vitesh në krye të Vatikanit.
Ai ishte Papa i parë që jep dorëheqjen në 600 vjet. Zgjedhja e Papës së ri kërkon një mazhorancë prej 2/3 të votuesve. Sipas mediave Papa i ri duhet të zgjidhet përpara Pashkëve.
