Ekonomia shqiptare parashikohet të tkurret me 7.5% deri në fund të këtij viti për shkak të varësisë nga turizmi dhe ndaj dërgesave të emigrantëve të cilat janë në ulje.

Këtë e ka bërë të ditur Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili më herët kishte parashikuar një recesion deri ne 5 përqind.

Pas takimeve virtuale me ministren e Financave dhe autoritete të tjera shqiptare, FMN merr parasysh në vlerësimin e vet efektet e shtrira të pandemisë, por dhe ato të tërmetit që tronditi vendin nëntorin e kaluar.

 “Defiҫiti fiskal parashikohet të rritet në rreth 7 përqind të PBB-së dhe borxhi publik pak mbi 80 përqind të PBB-së deri në fund të vitit 2020. Mbështetja financiare ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të FMN-së, si dhe emetimi i Eurobondit në qershor do të ndihmojë në mbulimin e nevojave për financim. Parashikojmë që ekonomia do të rimëkëmbet duke filluar nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2020 dhe do të fuqizohet gradualisht gjatë vitit 2021, me zbutjen e efektit të goditjeve dhe me vijimin e rindërtimit pas tërmetit”.

Në këtë pikë ekspertët e FMN-së shpjegojnë se “mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cënuara nga këto kriza është e përligjur, por duhet të jetë e përkohshme, me përfitues të identifikuar, si dhe të jetë objekt i transparencës dhe i llogaridhënies”.

Por FMN rekomandon që “kur pasojat e krizave të zbuten, që të rikrijohen hapësira manovrimi për politikën buxhetore, do të ketë rëndësi kritike rifillimi i një konsolidimi modest fiskal duke nisur nga viti 2021, që duhet të forcohet më tej, mbështetur në një strategji të shëndoshë afatmesme për të ardhurat”.

Ekspertët e FMN-së flasin për një nevojë urgjente për të fuqizuar menaxhimin e investimeve publike Dhe cilësinë e shpenzimeve, duke ngritur dhe një herë shqetësimin për rreziqet e mundshme nga skemat e Partneritetit Publik Privat.

“Përpjekjet e vazhdueshme për fuqizimin e kuadrit ligjor të parandalimit të pastrimit të parave dhe lufta kundër financimit të terrorizmit duhet të vijojnë. Ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie fiskale të mundshme, duke marrë për bazë shqetësimet lidhur me ndikimin që ajo ka mbi zbatueshmërinë e detyrimeve tatimore si edhe me risqet e lidhura me pastrimin e parave dhe me qeverisjen”.

Ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar shprehen se  “kërkohet punë shumë e madhe për të ruajtur stabilitetin financiar duke mbështetur ndërkohë huamarrësit e goditur nga krizat”, ndërsa theksojnë se vendi “ka nevojë për të përgatitur masa rezervë në rast të një pandemie më të rëndë”.

Rekomandimet e FMN

– Mbështetja për ekonominë duhet të vijojë në vitin 2021, por me rimëkëmbjen e rritjes ekonomike, buxheti duhet të përpiqet të arrijë edhe një rënie modeste të nivelit të borxhit.

– Mbështetja buxhetore duhet të jetë e përkohshme, me përfitues të identifikuar, dhe subjekt i transparencës dhe llogaridhënies dhe me masa adekuate kontrolli të menaxhimit të financave publike

– Theksojmë rëndësinë e përfundimit, miratimit dhe fillimit të zbatimit të një strategjie solide afatmesme për të ardhurat në vitin 2021, pas konsultimeve të nevojshme publike.

-Autoritetet duhet të shmangin krijimin e detyrimeve të reja të prapambetura të shpenzimeve buxhetore dhe në rimbursimin e TVSH-së dhe t’i qëndrojë planit për shlyerjen e stokut ekzistues

-Autoritetet duhet të përgatiten për një rritje të mundshme të kredive me probleme dhe të vijojnë të përmirësojnë kuadrin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

-Ka nevojë për të përgatitur masa rezervë në rast të një pandemie më të rëndë.