Tirana ende e përgjumur në ditën e dytë 2013-tës
Edhe pse data shënon 2 janar përsëri Tirana vijon të jetë e përgjumur. Në rrugët e kryqytetit vëren njerëz të cilët ecin të qetë dhe nuk vrapojnë për në punë. Disa vijojnë që të shijojnë kafen nën rrezet e diellit e disa të tjerë kryejnë edhe vizitat e fundit tek miqtë apo familjarët.
Ndërkohë që bizneset kanë preferuar që edhe ditën e dytë të Vitit të Ri ta bëjnë pushim. Po pavarësisht kësaj ka dhe ndonjë biznes që i është rikthyer punës.
Në orët e para të mëngjesit Tirana ishte bosh, por në mesditë qarkullimi i automjeteve edhe pse jo i rënduar është rikthyer duke e gjallëruar disi jetën e kryeqytetit. Qytetarët e kanë nisur ditën më vonë se normalisht dhe moti me diell i ka lejuar që ta shijojnë edhe këtë ditë pushimi.
Dita e parë e këtij Viti të Ri e ka gjetur Tiranën të qetë, ndoshta të përgjumur, njësoj si qytetarët e saj pas një nate të gjate festimesh e megjithatë në ditën e dytë të këtij viti duket sikur dicka ka ndryshuar.
Dalëngadalë pas festave kryeqyteti po i rikthehet jetës së vrullshme me punët e angazhimet e përditshme .E megjithatë dita e hënë do të jetë fillimi i vërtetë i angazhimeve të qytetarëve në Tiranë por edhe në qytetet e tjera të vendit .
7 janari është rinisja zyrtare e punës në institucione, shkolla dhe universitete. Në këtë mënyrë shumë qytetarë do të shijojnë pushimin edhe për disa ditë deri në rikthimin e vrullshëm në jetën dhe punët e përditshme.
