Thaçi pritet të rikonfirmohet lider i PDK

Thaçi pritet të rikonfirmohet lider i PDK

Hashim Thaçi sot pritet të rikonfirmohet për herë të dytë në postin e kreut të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në kongresin e përgjithshëm të kësaj partie, që nisi dje në Prishtinë.

Analistët politik këtë kongres e kanë cilësuar përçarës dhe me mesazh të keq për këtë parti. Sipas tyre, ky kongres do të evidentojë përçarjet për shkak të mospjesëmarrjes së sekretarit të përgjithshëm, Jakup Krasniqi, veprimtarë dhe përfaqësuesve të tjerë të kësaj partie si dhe mungesës së nënkryetarit Fatmir Limaj, që gjendet në paraburgim.

Kryetari aktual Hashim Thaçi nuk ka kundër kandidat në garën për kryetar. Gjatë punimeve pritet të bëhen ndryshime në statut dhe në program. Një prej tyre, është edhe ndryshimi i emërtimit të Kongresit në Konventë Zgjedhore.

Kongresin e shpalli të hapur  nënkryetari i PDK-së dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili përshëndeti pjesëmarrësit nga Shqipëria, nga Maqedonia nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi.

Kreu i PDK-së Hashim Thaçi është shprehur se shqiptarët gjithmonë e kanë pasur guximin për të qenë të bashkuar, për të luftuar dhe për të fituar, e kjo u bë nga lufta e UÇK-së, dhe kontribut i të gjithë shqiptarëve kudo që janë.

"Vite më parë qytetarët, shumë prej nesh të pranishëm këtu dhe shumë prej atyre të cilët nuk janë në mesin tonë, kishim një ëndërr, të jemi kështu të bashkuar. Shteti i Kosovës dhe ai do të jenë gjithmonë gardian të të drejtave të shqiptarëve, kudo që janë. Bashkimin e kombit e kanë vulosur dëshmorët, ndërsa bashkimi do të ndodhë në BE", deklaroi Thaçi në fjalimin e tij.

Në Kongresin e PDK-së pritet të jenë rreth 700 delegatë, që është numri më i madh që ka pasur ndonjëherë në një proces zgjedhor partiak në Kosovë.

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka mbajtur zgjedhje të rregullta që nga viti 2005, ndërsa nga ai vit, herë pas here ka legjitimuar strukturat udhëheqëse përmes kuvendeve të jashtëzakonshme, sa për të plotësuar anën formale të ligjit.

EMISIONET