Komisioni i Ligjeve ka vendosur të shkrijë në një projekt, propozimin e opozitës parlamentare dhe atë të PS për ndryshimin e kodit zgjedhor. Në mbledhjen e parë të Komisionit të ligjeve, pakica e re në Kuvend akuzoi se mazhoranca po mbyll listat e kandidatëve për deputetë duke e cilësuar një vendim antikushtetues. Madje nuk munguan as deklaratat për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të kodit zgjedhor nëse votohet në mënyrë të njëanshme.

Ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut me votat e PS dhe deputetëve të pakicës kanë shkaktuar debat mes politikës brenda dhe jashtë parlamentit.

Madje socialisti, përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, me ironi në Komisionin e Ligjeve ku nisi shqyrtimi i ndryshimeve në kodin zgjedhor, u shpreh se hapja e listave dhe heqja e koalicioneve në Kushtetutë tronditi politikën.

Damian Gjiknuri: Me ndryshimet kushtetuese, ra tradita. Ndodhi një ngjarje e madhe. Ndodhi një tërmet politik, ndryshoi kushtetuta. Ndryshimi i kushtetutës prishi një traditë. Prishja e një tradite do të thotë që natyrshëm që ligji zgjedhor dhe të respektojë ndryshimet e reja. Kjo tregon që fjala tërmet politik ka dimensione të shumta. Ndryshimi i kushtetutës ka diktuar një thyerje të traditës së formulës së koalicioneve siç ka qenë i parashikuar në kodin zgjedhor të kushtetutës së mëparshme.

Edhe pse u ngrit një grup pune nga Komisioni i Ligjeve për të patur një draft të përbashkët, Damian Gjkinuri, nuk ka arritur ta gjejë gjuhën e përbashkët me opozitën parlamentare, për këtë arsye u prezantuan 4 drafte të ndryshme.

Damian Gjiknuri: ”Kushtetuta nuk e njeh më termin koalicion, por praktika e vendeve europiane dhe demokratike nuk mund të pengojë lirinë e organizimit të konkurimit të përbashkët të disa forcave politike. Në propozimet e kodit të ri zgjedhor, është parashikuar që partitë të kenë mundësi të krijojnë aleancat e tyre, duke mbajtur definicionet në fuqi. Sistemi i kaluar kishte mbyllur listat dhe kishte hapur partitë. Po të kishte listë të hapur, ishin partitë politike brenda një koalicioni që konkuronin ndaj njëra-tjetrës. Kjo krijon pabarazi, sepse me formulën e sotme të kesh lista të hapura dhe parti të hapura brenda koalicioneve, krijohet një deformim i vullnetit të zgjedhësit.

Ai voton edhe për partinë, edhe për individin e një partie, por mandati, vota që shkon te ajo parti, i shkon një koalicioni me një parti më të madhe me efektin centripetal që ka sistemi, dhe krijon deformim. Kjo është arsyeja pse asnjë vend i OSBE-ODIHR, dhe unë sfidoj opozitën që të sjellë një model të një vendi me sistem rajonal me lista të hapura ose të mbyllura, i cili ka formulimin e koalicionit dhe formulën e shpërndarjes mandatesh të koalicionit siç e kishim ne në kodin zgjedhor.

Myslim Murrizi: Unë kërkoj në emër të 11 deputetëve që çdo subjekt politik të garojë me 25 prill me lista jo më pak se 2/3 e hapura.

Ralf Gjoni: Ky projektligj propozon zbatimin e një sistemi zgjedhor përfaqësimi proporcional kombëtar me lista partiake të hapura, duke shkrirë të 12 qarqet në një zonë të vetme.

Andi Përmeti: Listat nuk mund të detyrohen të jenë të mbyllura në masën 100%.

E vetmja pikë ku deputetët e opozitës bien dakord ka të bëjë me çështjen se propozimi i socialistëve i mbyll listat e kandidatëve për deputet dhe është antikushtetuese.

Myslim Murrizi: Në Kukës i treti i partisë merr 15 mijë vota, i pari dhe i dyti marrin zero vota, a më tregon se kush do të marrë mandatin meqë u ke dhënë të drejtën zgjedhësve për të zgjedhur?

Damian Gjiknuri: E merr lista e partisë, ai që është i pari në listën e partisë.

Madje, Myslim Murrizi, paralajmëroi PS se draftin e saj të njëanshëm do ta çojë në Kushtetuese.

Murrizi: Duhen 10 mijë e kusur qytetarë që të përmbysin firmnën e kryetarit, unë do ta çoj në Gjykatë Kushtetuese.

Nga propozimet e tij, Gjiknuri tregoi se është i hapur për të hequr dorë nga pragu prej 3%.

Damian Gjiknuri: A është pragu 3% i duhur, hajde ta diskutojmë.

Pasi u miratuan në parim ndryshimet në kodin zgjedhor, deputetët vendosen që draft-amendamentet do të bashkohen në një dokument integral për t’u diskutuar nen për nen ditën e martë nga Komisioni i Ligjeve.