Presidenti amerikan, Donald Tramp, i ka hapur rrugën krijimit të qeverisë së re demokrate të kryesuar nga rivali i tij dhe kreu i ardhshëm i shtetit, Xho Bajden.

Tramp udhëzoi të martën administratën që merret me tranzicionin e pushtetit që të nisë procedurat për t’i dhënë kundërshtarëve të tij qasje te fondet e shtetit, zyrat qeveritare dhe mundësinë për të takuar zyrtarë federalë.

Presidenti theksoi se kjo fazë tranzitore nuk nënkupton që ai është pajtuar me idenë se i ka humbur zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

“Do vazhdojmë t’i ndjekim rrugën ligjore për këto zgjedhje që mundet të jenë më të korruptuarat në historinë politike amerikane. Kurrë nuk do dorëzohemi para votave dhe sistemit të falsifikuar,” reagoi Tramp në Twitter.

Ndërsa republikani i qëndron idesë se atij iu vodhën zgjedhjet me manipulime, shtetet amerikane njëra pas tjetrës po vijojnë certifikimin e rezultatit përfundimtar.

Tashmë që ka votat e nevojshme elektorale, presidenti i zgjedhur, Bajden, pritet të bëjë betimin më 20 janar për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë.

Një ditë më parë ai prezantoi një pjesë të ekipit që do e shoqërojë për 4 vitet e ardhshme.

Entoni Blinken do kryesojë politikat e jashtme në postin e Sekretarit të ardhshëm të Shtetit, ish-drejtuesja e CIA-s, Evril Henz, do marrë përsipër Shërbimin Informativ Kombëtar, Linda Tomas-Grinfilld do jetë ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Alehandro Majorkas, sekretar i Sigurisë së Brendshme, ish-zv.presidenti, Xhon Keri, do mbajë dikasterin për Klimën, ndërsa financat do i besohen për herë të parë një gruaje, ish-drejtueses së Bankës Qendrore amerikane, Xhenet Jellen.

Pjesa më e madhe e tyre janë kolegë të vjetër të Bajdenit të cilët ai i ka njohur edhe vite më parë kur ishte zëvendësi i presidentit Barak Obama.