Cilat janë pritshmëritë e ekspertëve për GTA 6?!

Viti 2025 pritet të shënojë një ngjarje të madhe në botën e lojërave: publikimin e Grand Theft Auto 6. Fansat e kësaj loje nuk mund të fshehin entuziazmin, edhe pse sipas disa informacioneve të fundit bëhet e ditur se loja mund të shtyhet deri në vitin 2026. Megjithatë, shpresojmë që ata t’i përmbahen afateve për këtë vit.
Për ata që njohin historinë e Rockstar Games, një vonesë nuk do të ishte diçka e pazakontë. Red Dead Redemption 2 dhe Grand Theft Auto 5 gjithashtu patën vonesa të gjata përpara publikimit. Por pritja për GTA 6 duket se do të shpërblehet, pasi ekspertët besojnë se loja do të vendosë rekorde të reja në industrinë e argëtimit.
Në dhjetor 2023, Rockstar publikoi trailer-in e parë për GTA 6, duke treguar një pamje mbresëlënëse të Vice City, qyteti ikonik i rikrijuar me një stil modern krahasuar me versionin e vitit 2002 të Grand Theft Auto: Vice City.
Një nga momentet më të spikatura të trailer-it ishte prezantimi i protagonistes së parë të serisë, Lucia, që u mirëprit gjerësisht nga fansat dhe kritikët.
Ekspertët e industrisë janë të bindur se GTA 6 do të thyejë rekorde financiare edhe përpara se të dalë në treg. Sipas Financial Times, të dhënat nga DFC Intelligence parashikojnë se loja do të gjenerojë mbi 1 miliard dollarë vetëm nga porositë paraprake (pre-orders), duke tejkaluar rekordin e vendosur nga GTA 5.


