PREMIERA E “ODISESË” MË 17 KORRIK/ Regjisori Christopher Nolan prezanton filmin e ri në Londër! Yjet parakalojnë në tapetin e kuq
Regjisori Christopher Nolan prezantoi në Londër premierën botërore të filmit të tij më të ri, "Odisea", një nga produksionet më të pritura të këtij viti. Në ceremoninë e organizuar në Leicester Square morën pjesë emra të njohur të kinemasë botërore, ndërsa publiku ishte i pari që e ndoqi filmin në formatin 70 milimetra.

Atmosfera në Leicester Square të Londrës u shndërrua në një festë të kinemasë, ku Christopher Nolan prezantoi premierën botërore të "Odisea", filmit të tij më të ri, të bazuar në poemën epike të Homerit.
Në tapetin e kuq parakaluan aktorët Matt Damon, Tom Holland, Zendaya, Anne Hathaway, Robert Pattinson, Charlize Theron, Lupita Nyong’o, Mia Goth, Elliot Page, Benny Safdie dhe Travis Scott, ndërsa para kinemasë Odeon ishte vendosur edhe një kalë gjigant i Trojës, në simbol të historisë që rrëfen filmi.
Para shfaqjes, Nolan falënderoi aktorët dhe ekipin e realizimit, duke theksuar se publiku londinez ishte i pari në botë që do të shihte filmin në ekranin IMAX dhe në formatin origjinal 70 milimetra.
Regjisori kujtoi gjithashtu se ishte rritur duke parë filma në Leicester Square dhe e cilësoi premierën si një moment të veçantë në karrierën e tij, ndërsa me humor iu referua edhe tifozëve anglezë që kishin qëndruar zgjuar deri në orët e para të mëngjesit për të ndjekur ndeshjen e Kupës së Botës.
"Odisea" rrëfen udhëtimin e gjatë të heroit grek Odise, pas Luftës së Trojës, në përpjekje për t'u kthyer në mbretërinë e Itakës dhe për t'u ribashkuar me bashkëshorten Penelopa dhe djalin e tij Telemaku. Matt Damon interpreton rolin kryesor, ndërsa Tom Holland luan Telemakun, Anne Hathaway Penelopën, Charlize Theron nimfën Kalipso dhe Robert Pattinson Antinoin.
Ky është filmi i parë i Christopher Nolan pas suksesit të jashtëzakonshëm të "Oppenheimer", i cili fitoi shtatë çmime Oscar dhe arkëtoi afro një miliard dollarë në kinematë botërore. Studio Universal ka shfaqur besim të plotë te projekti, duke vendosur që shfaqjet për kritikët të nisin vetëm pas premierës zyrtare në Londër.
"Odisea" do të dalë në kinematë në mbarë botën më 17 korrik, ndërsa konsiderohet një nga filmat më të shumëpritur të sezonit veror.


