Sadiku dhe Bajrami të lumtur dhe optimistë për Kombëtaren (VIDEO)
Adrian Bajrami dhe Armando Sadiku ishin dy futbollistët e parë të Kombëtares që u përzgjodhën për të çelur serinë e konferencave të shtypit përpara ndeshjeve me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Bomberi kuqezi rikthehet pas tre viteve në skuadër dhe ai shpreson që të jetë ende i vlefshëm për këtë fanellë.
Armando Sadiku:
"Prisja që trajneri të më thërriste. Me ka marrë në telefon dhe kemi biseduar disa herë, jam i kënaqur që u ktheva, kisha koha që e prisja këtë moment. Ka çuna të rinj, disa i kam takuar, por edhe të tjerët i njoh. Është krijuar një grup i mirë, ka cilësi. Jemi të gjithë për një qëllim. Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e Kombëtares dhe jap kontributin tim.
Vetëm të shohësh ku luajnë mesfushorët, e kupton që ka shumë kualitet. Ne duhet të jem të vëmendshëm në çdo aksion, duhet të shfrytëzojmë rastet dhe të shënojmë gola. Kundërshtarët tanë do të qëndrojnë në mbrojtje, dhe ne sulmuesit kemi besim se do të shërbehemi dhe duhet të shënojmë.
Jam i bindur dhe kam besim. Grupi na e lejon, edhe pse nuk mendoj se ka ekipe të dobëta. Kam besim se do t’ia arrijmë, edhe më mbështetjen e tifozëve në shtëpinë tonë. Shpresoj të përsëritim suksesin e vitit 2016. Jam shumë i lumtur, më ka thirrur në telefon, kemi biseduar dhe më ka thënë se do të jem i rëndësishëm. Unë do të jem në dispozicion të tij dhe këtë besim t’ia shpërblej në fushë".
Adrian Bajrami:
"Jam shumë i lumtur që jam përsëri në Kombëtare. Kam pasur një dëmtim të rëndë, por jam mirë tani. Do të mundohem të jap maksimumin. Kemi biseduar shumë herë me trajnerin, ka ardhur në Portugali për të më takuar.
Do të vendosë trajneri, unë do të jap maksimumin në stërvitje. Duhet të kemi besim, sidomos për ndeshjen në shtëpi. Nuk ka skuadra të lehta, ne duhet të japim maksimumin dhe të jemi të fokusuar në fushë.
Trajneri e ka një ide të qartë, na shpjegon çfarë kërkon prej nesh dhe ne mundohemi të bëjmë ato që ai na thotë. Më ka thënë që nuk duhet të mërzitem prej dëmtimit, më tha se kam shumë besim dhe më sheh si lojar të së ardhmes.
Kam edhe dy vite kontratë te Benfica, ëndrra ime ka qenë të jem në ekipin e parë, pas Kombëtares, të shohim se cila do të jetë e ardhmja ime".