Presidenti Duka në “L’America”: Botërori 2026 në fokus, EURO U-21 në 2027-n dhe Kombëtarja shqiptare

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në emisionin “L’America” në TV Klan, të moderuar nga Lenida Halilaj, emision i dedikuar Kupës së Botës 2026.
Gjatë intervistës, Presidenti Duka ndau përshtypjet e tij nga atmosfera dhe organizimi i Botërorit, analizoi skuadrat pretendente për trofeun dhe komentoi zhvillimet më interesante të turneut deri në këtë fazë.
Kreu i qeverisë së futbollit foli gjithashtu për Kombëtaren shqiptare, objektivat për EURO 2028 dhe Nations League, përgatitjet për organizimin e Kampionatit Europian U-21 2027 në Shqipëri, si edhe për çështje të ndryshme të futbollit europian dhe botëror.
Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë të Presidentit Armand Duka në emisionin “L’America”:
President, keni qenë në ndeshjen hapëse të Botërorit në Meksikë, në ndeshjen Meksikë – Afrika e Jugut. Si ju është dukur atmosfera? – E presim me shumë emocion çdo kompeticion të tillë europian apo botëror dhe ajo çfarë kemi përjetuar në stadium apo në ekran vërtet i ka realizuar pritshmëritë tona për një kompeticion fantastik, i organizuar shumë bukur.
Ceremoninë hapëse besoj se e kanë parë të gjithë në ekran, kishte një ndërthurje fantastike artistike-sportive. Atmosfera, çdo gjë ishte perfekte, përveç një ndeshjeje që nuk ishte në nivelin e pritshmërive që duhet të ketë një kampionat botëror. Jetohet vërtet si festë sportive nga i gjithë botërori, vetëm se kemi pak problem me gjumin, se nuk e përballojmë dot t’i shohim të gjitha ndeshjet. Dëshira është t’i shohim të gjitha, por është e vështirë. E kompensojmë me “highlights” dhe me emisionet tuaja.
Një Botëror ndryshe, me më shumë skuadra, më shumë ndeshje. Çfarë e bën të veçantë këtë Botëror për ju? – Mund të ketë shumë të veçanta në krahasim me Botërorin e kaluar, apo edhe pak më negative. Botërori i kaluar ishte më i bukur, sepse brenda një dite mund të shikoje live edhe katër ndeshje, ishte në Katar, shumë afër njëra-tjetrës. Ndërsa tani vetëm Gianni Infantino mund të shohë dy ndeshje në ditë, ndërsa për të gjithë ne të tjerët është shumë e vështirë që fizikisht të shohësh dy apo më shumë ndeshje në ditë.
Për nga niveli, futbolli çdo ditë bën progres dhe ajo çfarë është e veçantë janë ekipet afrikane, që sipas meje kanë bërë një paraqitje shumë të bukur, pavarësisht se jo të gjitha me rezultat pozitiv. Por, nga ajo çfarë kanë treguar në fushë, mendoj që i kanë surprizuar në një farë mënyre, sidomos ne shikuesit europianë të futbollit, me atë se çfarë kanë dhënë.
Deri më tani, ju ka bërë përshtypje ndonjë skuadër dhe kë shikoni si pretendente për të marrë trofeun? – Mendoj se është vërtet shpejt për ta thënë. Padyshim që të gjithë kemi të drejtën që, para se të fillojë kompeticioni, të mendojmë kush mund të jetë favorit për atë se çfarë ka dhënë në kualifikuese apo për gjendjen që kanë futbollistët në përbërjet e tyre. Por, pasi fillon kompeticioni, gjërat mbase edhe ndryshojnë. Sepse kompeticionet finale kanë specifikat e tyre, nuk janë njëlloj si kualifikueset, nuk janë njësoj si kampionatet me shumë javë dhe gjërat ndryshojnë. Nuk do të thotë që e kam përjashtuar faktin që Anglia do të ishte një ekip gjysmëfinalist apo finalist për Botërorin, por me atë Angli që pashë dje, më bën të dyshoj që vërtet është një ekip shumë i fortë.
Anglia që pashë kundër Kroacisë mu duk shumë e fortë, agresive dhe imponuese në fushë, ndërsa ndaj Ganës pothuajse nuk krijoi asgjë, vetëm në minutat e fundit një shtyllë dhe një rast i humbur nga Kane. Mbase është shpejt, por teorikisht Franca ka treguar në ndeshjet që ka bërë vërtet potencial të madh. Ka edhe një yll si Mbappé, por jo vetëm ai, e gjithë skuadra është shumë e madhe. E shoh si shumë favorite për Botërorin. Mendoj që do të vijë në Europë Kupa e Botës.
A sheh ndonjë diferencë, qoftë në elementin e organizimit apo edhe të emocioneve, të Europianit apo Botërorit, sepse ne e kemi përjetuar nga afër vetë para dy vitesh? – Ka specifikat e veta. Ajo që kemi përjetuar, duke qenë edhe me skuadrën në Gjermani, është fantastike. Të paktën për ne që kemi qenë në kampionat, dhe kush ka pasur mundësi, është shumë e bukur, sepse e bën pjesëmarrja e skuadrës sonë, që nuk është e shpeshtë. Botërori në SHBA, Kanada dhe Meksikë ka distanca shumë të mëdha, atmosfera është pak më e shpërndarë dhe jo e përqendruar siç ishte në Europian apo edhe në Botërorin e kaluar.
Kur shikojmë ndeshjet e grupit ku mund të ishte edhe Shqipëria, mund të kishim bërë shumë mirë, apo jo? – Në çdo ceremoni, sidomos kur shoh flamujt që vendosen në fushë, them që këtu duhet të ishte edhe flamuri ynë. Por nuk e arritëm. Tani është e lehtë të flasësh kur nuk jemi pjesë, por në fakt, në grupin ku do të ishim, me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë, mendoj që mund të bënim më mirë se Tunizia të paktën, ose edhe më mirë se Suedia, pavarësisht se ka fituar një ndeshje me Tunizinë.
Sa e vështirë është të jesh neutral kur shikon ndeshje të këtij niveli, President? Ju gjithmonë e keni shprehur se jeni tifoz i përhershëm i Shqipërisë dhe nuk bëni tifo me ndonjë ekip tjetër, por e njëjta gjë ndodh në UEFA dhe FIFA? Pra, a ka ndonjë preferencë të tipit “bëhesh pak tifoz me ndonjë”? – Shiko, edhe sikur ta nisësh një kompeticion neutral, ose qoftë edhe një 90-minutësh neutral, nuk ke shumë, le të themi, emocion. Por gjatë lojës bëhesh me një skuadër. Kështu që e përjeton bashkë me emocionin atë ndeshje apo çdo kompeticion.
Në pozitat që jam unë, nuk mund të jesh me një skuadër tjetër përveç Shqipërisë. Kam simpatitë e mia, për shumë arsye mbështes skuadrat europiane, por pse jo edhe Brazilin. Brazili është, le të themi, një dashuri e imja e vjetër. Brazili ka pak Europë brenda për herë të parë në histori tani, kështu që e legjitimon edhe më shumë që të jemi me Brazilin.
President, cila do të jetë ndeshja e radhës që do të shohësh në Botëror? – Në ekran do të shoh sot Zvicër – Kanada, ndërsa në stadium gjysmëfinalen e Atlantës dhe finalen në New Jersey. Uroj të shoh Holandën në Atlanta.
President, Europiani i vitit 2028 do të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë. A mund të vijë në shtëpi Botërori përpara një eventi spektakolar siç është Europiani? – Anglezët kanë vite që thonë që kupa do të kthehet në shtëpi. Shpresoj të kenë shanse që ta fusin kupën në shtëpi. Nuk janë një skuadër që nuk e meritojnë ta marrin kupën, por me ndeshjen ndaj Ganës vërtet kanë lënë pikëpyetje. Mbase kanë krijuar një lloj varësie nga Kane. Nëse nuk shënon Kane, nuk shënon Anglia dhe nuk shkojnë te fitorja. Ne kemi pasur edhe një eksperiencë, sepse kemi luajtur në të njëjtin grup në kualifikuese dhe Kane kundër nesh ka shënuar katër gola.
Thomas Tuchel ka marrë një lloj rreziku me lojtarët e tjerë që ka lënë në shtëpi, që mund të zgjidhnin ndeshjen, si Palmer apo Foden. Nuk është thjesht një trajner pragmatist. Ka marrë rreziqe dhe e ka filluar kompeticionin në mënyrë të tillë. Nuk besoj që e ka parë edhe ndeshjen ndaj Ganës me pragmatizmin që mjafton një pikë, por nuk ka arritur të marrë më shumë. Ndoshta nuk ka arritur ta motivojë ekipin në nivelin e duhur për ta fituar ndeshjen dhe për të marrë vendin e parë. Tani vendin e parë e kanë në rrezik, nuk e kanë më të sigurt, pavarësisht se janë të renditur në vendin e parë për momentin, por pas ndeshjes së tretë mund ta humbin.
President, Shqipëria do të mirëpresë Europianin U-21 vitin që vjen. Si po shkojnë përgatitjet? – Për ne është një event shumë i madh. Për mundësitë, aftësitë dhe madhësinë e vendit, eksperienca që kemi është e tillë që ky është një event i madh dhe ne kemi kohë që kemi filluar përgatitjet. Për ne mbeten edhe të vështira, sepse duhet të përgatitet e gjithë infrastruktura. Vërtet eventi zgjat vetëm afërsisht 20 ditë, por për t’u përgatitur për ato 20 ditë duhet shumë kohë. Duhet shumë kohë për të përgatitur fushat e stërvitjes, stadiumet, pavarësisht se nga jashtë duket sikur ne i kemi gati, por realisht nuk i kemi gati për një event të tillë.
Duhet të bëjmë shumë ndërhyrje në stadiume. Duhet të bëjmë shumë ndërhyrje në infrastrukturën sportive dhe kemi filluar punën me kohë. Me thënë të vërtetën, i gjithë stafi i Federatës është vënë në dispozicion të grupit të punës së UEFA-s, sepse ata e udhëheqin procesin. Por kemi pak mbështetje dhe përkrahje nga autoritetet vendore dhe lokale. Uroj që të zgjohen nga gjumi. Po mendoja, në fakt, dhe e kam menduar edhe gjatë këtyre ditëve, sepse më ka pëlqyer ai festimi që kanë bërë të gjithë tifozët norvegjezë. Edhe ato pamje nga parlamenti më pëlqyen shumë. Thashë me vete: sikur të shkonin në Botëror edhe këta të parlamentit tonë do të bënin kështu, se këta bëjnë vetëm kur shkon në Botëror ose Europian. Tani që ne nuk jemi, na quajnë të vdekur, por ne duhet të punojmë që të jemi prapë të gjallë.
President, para pak ditësh festuam 100 ndeshje të Elseid Hysajt me Kombëtaren. Si e sheh arritjen e 200 ndeshjeve të Luka Modrić me Kroacinë? – Fantastike. Luka Modrić është një nga yjet e futbollit botëror, fitues i Topit të Artë. Ka kontribute të jashtëzakonshme për rezultatet që ka arritur Kroacia në dy dekadat e fundit, jo vetëm në një dekadë. Është lojtar shumë i mirë. Më vjen keq që tashmë, detyrimisht, do t’i duhet të largohet nga futbolli i luajtur, dhe aktualisht është përsëri faktor në Kroaci. Ishte faktor edhe te Milani, e pamë që, kur Modrić u dëmtua, Milani pothuajse nuk fitoi asnjë ndeshje derisa doli nga Champions League. Është shumë bukur ta shohësh në fushë. Nëse futesh më thellë në historinë e tij, është vërtet për t’u admiruar.
Në fakt, në ndeshjen ndaj Shqipërisë në Euro 2024, nuk është se më ka bërë ndonjë përshtypje të jashtëzakonshme, ndoshta për shkak të aftësisë së mesfushës sonë. Për ne ka qenë vërtet një ndeshje shumë e bukur, që duhet ta kishim fituar. E kemi luajtur shumë mirë për 80 minuta atë ndeshje, por 10 minuta jo, dhe pësuam dy gola, pastaj patëm fat që barazuam. Kroacia nuk është më e njëjta gjë. Modrić besoj se nuk do ta luajë Europianin e vitit 2028. Gjërat zhvillohen dhe ekipi kroat do të ketë nevojë për rinovime, dhe ka në horizont yje të tjerë që mund t’i sjellë futbolli.
Trajneri i ri i Kombëtares, Nations League dhe objektivi për të shkuar në Kampionatin Europian të vitit 2028? – Tashmë nuk është thjesht dëshira jonë, por është detyrë shtëpie që vetë ekipi ia ka vënë vetes: ne duhet të jemi gjithmonë pretendentë për të shkuar në Europian. Kjo nuk mbetet vetëm një ëndërr apo dëshirë, por është një mundësi që mund ta arrijmë. Është një mundësi që nuk vjen vetë, por duhet të punojmë shumë për ta realizuar.
Dy ndeshjet miqësore me trajnerin e ri janë një rezultat për t’u harruar, por mbase është më mirë kështu për të kuptuar se, në futboll dhe sidomos me skuadra si ne, vetëm kur jep 120% mund të arrish rezultat. Ne nuk kemi asnjë lloj luksi që të fitojmë një ndeshje me impenjim 90 apo 95%; ne mund të fitojmë ndeshje dhe të shkojmë larg vetëm kur japim mbi 100%. Këto ndeshje miqësore, mbase për shumë arsye, ndoshta sepse ishte fundi i sezonit dhe koka e futbollistëve nuk ishte aty, përqendrimi nuk ishte i duhuri dhe impenjimi nuk ishte maksimal, na dhanë atë rezultat që morëm, të cilin nuk duhej ta kishim marrë. Nëse duhet ta shohim gotën si gjysmë plot, ekipi duhet të kuptojë se vetëm me një impenjim mbi 100% mund t’ia dalim dhe, pa dyshim, do ta luftojmë këtë objektiv.
Do të fillojmë me Nations League, ku kemi një grup që në letër duket i lehtë, por në futboll sot nuk ka kundërshtarë të lehtë, sepse fusha t’i bën gjërat të vështira. Siç pamë Anglinë dje dhe siç kemi parë edhe vetë kundër Letonisë, ndaj së cilës me shumë vështirësi kemi marrë tre pikë në Tiranë dhe një pikë atje. Kjo skuadër, që mori katër pikë kundër Serbisë, me shumë vështirësi mori të njëjtat pikë ndaj Letonisë. Duhet ta vlerësojmë maksimalisht Nations League dhe aty jo vetëm se kemi detyrë të dalim të parët në grup, por sepse ajo është edhe një mënyrë kolaudimi e skuadrës për kualifikueset. Presim shortin në dhjetor, sepse edhe ai është i rëndësishëm, dhe do të ishte shumë bukur ta luanim Kampionatin Europian në Britani.
Mungesa e Italisë në Botëror, zgjedhjet në Federatën Italiane të Futbollit dhe Bosnja në Botëror? – Eliminimi i Italisë për herë të tretë është përjetuar si tragjedi në Itali, me të drejtë, pasi një nga ekipet më të mira dhe një nga vendet me futbollin më të zhvilluar në Europë dhe në botë të mos marrë pjesë në Kupën e Botës është përjetuar shumë keq. Gjërat duhet të ndryshojnë edhe në skuadër, pasi Italia ka bërë rezultate fantastike.
Unë e përmenda edhe në Asamblenë e Federatës Italiane: është kampione Europe me U-17, kampione Europe me U-19, finaliste me U-21 dhe kampione Europe në vitin 2021 me Kombëtaren A. Pa diskutim që do të rikthehet, pasi futbolli kështu është: shtyllë jashtë, tragjedi; shtyllë brenda, hero. Tani çdo gjë shihet e zezë në Itali, por nuk është e tillë. Italia i ka të gjitha potencialet dhe mundësitë për t’u rikthyer aty ku duhet të jetë, si pretendente për tituj europianë dhe botërorë, tashmë me drejtimin e ri. Kartoni i kuq i Bastonit ishte vërtet tragjedia e Italisë, bashkë me atë rast të humbur për ta çuar rezultatin në 2-0.
Ndeshja Zvicër – Kanada? – Ndeshja Zvicër – Kanada është vërtet një ndeshje shumë e fortë dhe nuk është thjesht çështje dëshire që të flasim për Xhakën, por mua më duket se Zvicra është Xhaka. Nëse Xhaka luan mirë, Zvicra fiton; nëse Xhaka nuk është në 100% të formës së tij, Zvicra do ta ketë shumë të vështirë.
Pa dyshim që Zvicra ka edhe elementë të tjerë, si futbollisti Manzambi, që u fut si zëvendësues dhe shënoi dy gola. Sidoqoftë, mendoj se Zvicra varet shumë nga Xhaka. Ai është regjisori i skuadrës, lideri i saj dhe ka cilësi të jashtëzakonshme. Nëse ai do të jetë në të njëjtin nivel edhe sot, Zvicra do ta fitojë ndeshjen kundër Kanadasë, sidomos falë eksperiencës dhe lidershipit të tij.
Bosnje – Katar? – Besoj se, në letër, Bosnja është më e mirë se Katari, por futbolli nuk është shkencë ekzakte dhe nuk është i parashikueshëm. Teorikisht, Bosnja duhet të fitojë.
Brazili në Botëror dhe nën drejtimin e Carlo Ancelottit? – Në këtë fillim Botërori, Brazili nuk ka treguar ndonjë diferencë të madhe nga skuadrat e tjera dhe nuk ka lënë ndonjë përshtypje si pretendent kryesor. Megjithatë, Brazili është gjithmonë Brazil dhe mbetet pretendent. Nuk diskutohet që do ta kalojë grupin dhe mund të shkojë larg. Me Skocinë nuk besoj se do të ketë probleme për ta fituar ndeshjen.
Neymar? – Nuk kam pritshmëri të mëdha nga Neymar për Brazilin, por skuadra ka elementë të tjerë që mund ta çojnë përpara. Nëse do të zgjidhja yllin apo talentin më të madh të momentit te Brazili, do të ishte Vinicius Jr. Ai mund të ndihmojë më shumë ekipin. Nëse Brazili ka nevojë për spektakël, atëherë duhet Neymar. Cristiano Ronaldo është një shembull për t’u ndjekur jo vetëm në futboll, por në të gjitha fushat e jetës, sepse ai ka arritur aty ku është nëpërmjet punës, ndërsa Neymar ka arritur aty kryesisht falë talentit.
Progresi i Marokut në futboll? – Maroku nuk është më surprizë. Ka një skuadër të mirë dhe në të gjitha kompeticionet ka bërë paraqitje të mira, madje tashmë edhe më të mira. Një nga ndeshjet me pritshmëritë më të larta në këtë Botëror ka qenë përballja Brazil – Marok. Megjithatë, nëse do të ishte një përballje mes Marokut dhe Holandës, do të doja shumë që në shtëpi të shkonte Holanda. Nuk ka asgjë të rastësishme te Maroku.




