“Nuk shkoj në SHBA për këtë Botëror”, legjenda e Bayernit kritikon FIFA-n për komercializimin ekstrem!

“Nuk shkoj në SHBA për këtë Botëror”,

Presidenti i nderit i Bayern Munich, Uli Hoenes, ka shprehur kritika të ashpra ndaj Kupës së Botës 2026, duke e cilësuar turneun që po zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë si një dështim të paralajmëruar për futbollin modern.

Në një intervistë për median gjermane FAZ, 74-vjeçari nuk kurseu komentet ndaj nivelit të lartë të komercializimit që, sipas tij, po dëmton thelbin e sportit.

“Jam i bindur se Kupa e Botës 2026 do të jetë një dështim i madh për futbollin. Çmimet e biletave janë të kripura. Të paguash 2.000 dollarë për të parë një ndeshje është çmenduri. Kur do të marrë fund ky makth?”, deklaroi Hoenes.

I konsideruar si një nga figurat kyçe në transformimin e Bayern Munich në një superfuqi të futbollit evropian, Hoenes theksoi se nuk është kundër zhvillimit ekonomik të futbollit, por beson se gjithçka duhet të ketë kufij të arsyeshëm.

“Nuk kam ndërmend të udhëtoj në SHBA. Jam pro komercializimit të futbollit, por jo në këtë formë. Nuk dua ta mbështes duke blerë bileta me çmime stratosferike”, u shpreh ai.

Ish-drejtuesi bavarez zbuloi gjithashtu se nuk ka asnjë interes të ndjekë nga afër turneun, pavarësisht mundësive që kishte për të qëndruar pa shpenzime gjatë vizitës së tij në Florida.

“Nuk kam fare dëshirë të udhëtoj për ta parë këtë Kupë Bote. Edhe pse kisha mundësi, humba interesin kur mësova se zona ku do të qëndroja ishte shumë pranë një vendi tepër të frekuentuar”, tha Hoenes.
Me këtë deklaratë, ai iu referua faktit se akomodimi i ofruar ndodhej vetëm pak minuta larg rezidencës Mar-a-Lago, vendi ku presidenti amerikan Donald Trump kalon shpesh fundjavat.

EMISIONET