Legjenda e futbollit francez, thirrje UEFA-s dhe FIFA-s: Përjashtoni Izraelin

Legjenda e futbollit francez, thirrje UEFA-s dhe FIFA-s: Përjashtoni

Legjenda e futbollit francez, Eric Cantona, ka bërë thirrje për një bojkot sportiv të Izraelit në futboll.

Ish-sulmuesi i Manchester United doli në skenë në ‘Together for Palestine’, mbrëmë (18 shtator) në një koncert madhështor bamirësie në ‘Wembley Arena’, i drejtuar nga Brian Eno.

Atë e prezantoi futbollisti palestinez Mahmoud Sarsak, i cili mbajti një grevë urie për tre muaj pasi u burgos nga Izraeli në vitin 2012 pa gjyq.

Sarsak ishte mik dhe shok skuadre i “Pelésë palestinez”, Suleiman Obeid, i cili u vra në Gaza gjatë një sulmi izraelit në gusht ndaj njerëzve që prisnin ndihma humanitare, sipas Federatës Palestinene të Futbollit.

“Kam luajtur për Francën dhe për Manchester United. E di që futbolli ndërkombëtar është më shumë se sport.

Është kulturë, është politikë, është ‘soft power’, mënyra se si një vend e përfaqëson veten në skenën botërore.

Ka ardhur koha që Izraelit t’i hiqet ky privilegj.

Katër ditë pasi Rusia nisi luftën në Ukrainë, FIFA dhe UEFA e pezulluan Rusinë.

Tani janë 716 ditë që nga ajo që Amnesty International e ka quajtur gjenocid, dhe megjithatë Izraeli vazhdon të marrë pjesë. Pse ka standarde të dyfishta?

FIFA dhe UEFA duhet ta pezullojnë Izraelin. Klubet duhet të refuzojnë të luajnë me skuadrat izraelite. Lojtarët kudo duhet të refuzojnë të përballen me skuadrat izraelite.

Ne të gjithë e kujtojmë aparteidin në Afrikën e Jugut. Bojkoti sportiv ishte vendimtar për ta mposhtur atë. Ne kemi fuqi. Ju keni fuqi. Dhe tifozët e futbollit në mbarë botën kanë fuqi.”

Cantona ka qenë prej kohësh një mbështetës i zëshëm i të drejtave palestineze dhe i përfundimit të luftës në Gaza. Më 17 tetor 2023, ai shkroi në Instagram:

“Mbrojtja e të drejtave të njeriut për palestinezët nuk do të thotë se je pro Hamasit. Të thuash ‘Free Palestine’ nuk do të thotë se je antisemit ose ‘dëshiron zhdukjen e hebrenjve’.

‘Free Palestine’ do të thotë të çlirosh palestinezët nga pushtimi izraelit që u ka mohuar të drejtat themelore për 75 vjet.”

‘Together 4 Palestine’ solli një pjesëmarrje të madhe artistësh, aktivistësh dhe figurash kulturore në ‘Wembley Arena’, përfshirë Damon Albarn, Omar Souleyman, Elyanna, Saint Levant, Greentea Peng, King Krule, Obongjayar, raportuesen speciale të OKB Francesca Albanese, Riz Ahmed, Mehdi Hasan, PinkPantheress dhe të tjerë.

Koncerti bamirës mblodhi gati 1.5 milion paundë për organizatën humanitare ‘Choose Love’, e cila do t’i shpërndajë fondet për bamirësitë palestineze Taawon, Palestine Children’s Relief Fund dhe Palestinian Medical Relief Society.

EMISIONET