FOTO-ALBUMI/ Shfaqja e Ansamblit Popullor në Londër, event historik për kulturën shqiptare

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përcolli në rrjetet sociale pamje nga performanca e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo ishte hera e parë që ansambli performon në Londër, duke bërë që mbrëmja artistike të ishte një event historik për kulturën shqiptare.

Artistët shqiptarë interpretuan në skenën e Shaw Theatre, në koncertin “Shqipëria në sytë e Bajronit- Zëri i Trashëgimisë”, event i cili u mirëprit me entuziazëm dhe duartrokitje të gjata.
Përmes interpretimeve artistike, kostumeve tradicionale dhe tingujve që mbartin kujtesën e brezave, Ansambli Kombëtar solli një Shqipëri të gjallë, krenare dhe autentike, duke e shndërruar këtë mbrëmje në një festë të identitetit tonë kombëtar.
TKOBAP tha se, ky koncert përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në misionin e këtij teatri, për promovimin e vlerave të kulturës shqiptare në skenat më prestigjioze ndërkombëtare, duke forcuar rolin e artit si ambasadori më dinjitoz i vendit.

