FSHF prezanton drejtorin teknik. Njeriu që do të drejtojë projektin kuqezi, është një italian (VIDEO)

FSHF prezanton drejtorin teknik. Njeriu që do të drejtojë

Emërohet Drejtori i ri Teknik i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai është italiani Fulvio Pea, një emër i njohur me një eksperiencë të madhe në punën me futbollin e moshave në shumë klube të mëdha italiane dhe të huaja. Pas prezantimit me stafin dhe të gjithë strukturat ai dhënë një intervistë për Fshf.org ku ka folur fillimisht për karrierën dhe ka treguar rrugëtimin e tij në botën e futbolli, veçanërisht në rolin e trajnerit dhe përgjegjësit të sektorit teknik.

“Si futbollist unë jam tërhequr shpejt nga futbolli i luajtur, sepse e kuptova që nuk do të kisha shumë të ardhme dhe nuk do të arrija të realizoja dot ëndrrën time, por nuk e braktisa futbollin dhe vazhdova të ëndërroj, duke ndryshuar rol. Që është një karakteristikë që vazhdova ta ruaj gjatë karrierës time. Kështu u bëra trajner me ekipe fëmijësh 9-vjeçarë, eksperiencë shumë e bukur sepse nga pikëpamja teknike morëm vetëm një pikë, por fëmijët nga 9 u bënë 36, pra u rritëm shumë.

Nga aty nisi pasioni për rolin e trajnerit. Pata fatin të punoja me klube dhe profesionistë shumë ambiciozë dhe e gjitha kjo më çoi në vitin 1998 në nivel profesionist për të punuar në sektorin e të rinjve të Interit, ku përveçse isha trajner, bëja edhe rolin e drejtorit të konviktit. Nga aty nisi një rrugëtim si trajner profesionist që më dha mundësinë të punoja në Bullgari si drejtor teknik në sektorin e të rinjve dhe ku më pas u njoha me Xhixhi Simonin, i cili ishte njeriu që më përfshiu në futbollin e të mëdhenjve, sepse u bëra pjesë e stafit të tij dhe më pas ai si drejtor i përgjithshëm dhe teknik, ndërsa unë si trajner punuam për dy vite së bashku.

Më pas unë u riktheva në sektorin e të rinjve dhe punova me Sampdorian dhe Interin, duke fituar shumë. Jo thjeshtë falë aftësive të mia, por falë edhe cilësive të lojtarëve dhe që aty pastaj nisa të punoj me skuadrat e para për 7 vjet. Si rrjedhojë pas këtyre shtatë viteve kam dëshirën për të ndryshuar akoma për të bërë diçka tjetër dhe iu futa rrugës së drejtorit teknik, që në Itali nuk është një rol shumë i njohur.

Kështu që te Livorno kam mbuluar rolin e përgjegjësit në sektorin e të rinjve, por isha më shumë i orientuar drejt asaj që ishte kapitulli i sektorit teknik. Duke kuptuar që në Itali ky rol nuk po merrte zhvillimin e duhur ika jashtë dhe me për fat të mirë kam mbuluar role gjithnjë e më të rëndësishme. Kjo më ka befasuar shumë dhe më pas tentova rrugë edhe më ambicioze dhe jam ku jam këtu sot.

Unë besoj se gjithçka nisi disa vite më parë, kur bëra një projekt për ekipet kombëtare, edhe këtu për rastësi gjatë kohës së lirë dhe nisa të vëzhgoja kombëtaret që ndodheshin afër Italisë, pra atë malteze, shqiptare e me radhë. Më tërhiqte shumë ajo që po ndodhte në Shqipëri, këtë Federatë që rritje gjithnjë e më shumë, me futbollistë të aftë e të fortë, kështu që kam vëzhguar nga jashtë atë që ndodhte në këtë vend.

Unë mendoj se ky vend është që prodhon shumë lojtarë interesantë dhe jam dakord me dëshirën e Presidentit Duka, i cili synon të përmirësojë në aspektin cilësor të gjitha zhvillimet e derisotme. Unë do të takohem me përgjegjësit e të gjitha sektorëve që përfshihen në Drejtorinë Teknike për të kuptuar punën që kanë bërë deri më tani dhe të marr mendimet e tyre për planet që kanë në të ardhmen. Ajo që mund të sjell këtu është eksperienca ime. Jam ende i ri, 56 vjeç, jam shumë aktiv dhe plot më entuziazëm dhe mund të sjellë eksperiencën time në këto projekte për të përmirësuar akoma atë që është cilësia e të rinjve mbi të gjitha, pra për futbollin e të ardhmes.

Roli përfshin shumë fusha, sepse FSHF është rritur shumë gjatë këtyre viteve dhe sigurisht kapitulli i formimit të trajnerëve apo profesionistëve të stafeve teknike. Sepse trajneri është vetëm një element i stafit, por janë shumë të rëndësishëm edhe figurat e tjera, siç mund të jetë ndihmës trajneri, përgatitësi atletik, trajneri i portierëve, fizioterapisti, mjeku apo drejtori sportiv, janë të gjitha figura që përbëjnë një skuadër.

Një skuadër që duhet të jetë më pas në dispozicion të lojtarëve. Në zhvillimin e futbollit të moshave të gjitha ka vende që ankohen se nuk kanë të rinj shumë të aftë që luajnë futboll, por unë besoj te filozofia e të rinjve, i kam mbështetur shumë edhe kur isha trajner, kam punuar shumë me to, besoj se edhe ky vend mund të ndërmarrë një rrugë shumë të rëndësishme për të favorizuar rritjen e trajnerëve dhe të njëjtën kohë edhe rritjen e talenteve të reja.

Besoj se çdo problem ka shumë zgjidhje. Mendoj se për të zgjidhur problemet duhet të kërkojmë zgjedhje sa më të mirë për të arritur qëllimin. Nëse ndalemi thjesht te problemi, nuk do ta gjejmë kurrë zgjidhjen dhe nuk do të ecim përpara. Vazhdojmë të flasim për aspektet pozitive dhe për ato negative, por duhet të kthejmë faqen dhe të kemi një objektiv të qartë. Presidentin na e ka bërë të qartë objektivin e FSHF, tani duhet të gjejmë ne rrugën që duhet ndjekur drejt atij objektivi pa menduar për atë që nuk mund të bëhet, por duke menduar për gjërat që mund të realizohen pavarësisht atyre gjërave që kemi në dispozicion.

Shpesh thuhet se një nga problemet është mungesa e infrastrukturës, por nëse unë mendoj për Afrikën, ku ka shumë mangësi dhe ku ka mijëra lojtarë që vijnë në Europë e bëjnë diferencën. Pra, mendoj që duhet të kemi pasionin, entuziazmin dhe dëshirë për të përmirësuar diçka dhe në rastin konkret është futbolli jonë. Sipas meje futbolli është i zhvilluar, por nëse mund të bëhet më shumë, patjetër që ne do të bëjmë më shumë për ta zhvilluar. Nëse do të ketë probleme, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje". 

 

 

 

 

EMISIONET