FOTO/ Evropiani i Gjimnastikës Ritmike, Shqipëria rikthehet pas 34 vitesh me Valentina Llogonen, shqiptaren që refuzoi Greqinë

Në Rimini të Italisë zhvillohet këto ditë Kampionati Evropian i Gjimnastikës Artistike, ku Shqipëria merr pjesë për herë të parë pas 34 vitesh me një atlete shumë të talentuar dhe në moshë të re, e cila refuzoi kombëtaren greke për ngjyrat e origjinës së vet.
Edhe pse me shtetësi greke, e lindur dhe e rritur ne shtetin fqinj, Valentina Llogone vetëm 15 vjeçe ka vendosur që të lerë Greqinë dhe t’i bashkohet Federatës Shqiptare të Gjimnastikës dhe Komitetit Olimpik Shqiptarë.
E lindur në Greqi dhe me prindër shqiptarë emigrantë prej vitesh në shtetin fqinj, i ati nga Lushnja dhe e ëma nga Saranda, Valentina Llogone është formuar nga ana sportive qysh e vogël në Greqi dhe në Athinë, duke zënë qysh herët vende të para dhe duke marrë pjesë në Kampionatet Kombëtare të Greqisë.
Ajo e ka nisur gjimnastikën ritmike dhe artistike që në moshën 4 vjeçare në Athinë, në të gjitha disiplinat e saj.

Në moshën 8 vjeçare ajo është ndjekur nga disa trainere, të cilat kanë parë talentin e madh të sajë dhe menjëherë e kanë angazhuar në skuadrën e të rejave tëGreqisë ku ka marrë çmime dhe trofe në disiplinat si, kërcim artistik në tapet, paralele dyshe dhe teke, kërcim në trarë të ekuilibrit dhe kërcim në kaluç.
Edhe pse atletja me origjinë shqiptare ka arritur rezultate të larta në shtetin fqinj dhe është thirrur nga ta për të marrë pjesë në skuadrën kombëtare ka refuzuar duke iu bashkuar ngjyrave kuqezi të origjinës.
Në Kampionatin Evropian të Gjimnastikës Artistike në Rimini të Italisë, Valentina vetëm 15 vjeçe do të përfaqësojë ngjyrat e kombit të origjinës, si atletja e vetme e kombëtares Shqiptare në këtë kampionat.
Vlen për të theksuar se ajo do të garojë në të katër disiplinat dhe duke u trajnuar nga një trajnere greke, me të cilën ka vite që stërvitet në Athinë me zj. Erifylli Tompouli.
Kush është Valentina Llogone?

E lindur dhe rritur në Athinë më 15 korrik të 2008-s, me prindër emigrantë prej 30 vitesh, i ati nga Lushnja dhe e ëma nga Saranda, Valentina është një atlete e talentuar e cila e ka filluar që në moshën 6 vjeçe sportin e gjimnastikës artistike.
Ajo është rritur dhe stërvitur në Athinë dhe ku jeton me prindërit e saj.
Valentina është nxënëse e Liceut në vit të parë dhe krahas mësimeve ajo stërvitet përditë në palestër më trajneren e sajë me qëllim që të arrijë rezultate të larta në këtë sport.
Është vlerësuar nga gjithë specialistët e sportit të Gjimnastikës Artistike dhe trajnerët në Greqi si një nga atletet me talentin më të madh të këtyre viteve.
Edhe pse vijonte të merrte pjesë në skuadrat e moshave të reja në Greqi, ajo iu kërkoi prindërve të shkonte në Tiranë për të bërë të mundur federimin e saj me kombëtaren shqiptare.
Ajo përpara se të nisej në Rimini të Italisë, është shprehur në aerodromin e Rinasit se: “Jam krenare që do të përfaqësojë më në fund ngjyrat e kombësisë time, dhe do të garoj me qëllimin që të ngre flamurin shqiptare të Rimini sa më lart”.
Valentina do të zhvillojë garat e saj në Rimini në datat 2 dhe 4 Maj, në kategorinë e atleteve të rritura, dhe është atletja e vetme e Kombëtares Shqiptare.
Ajo shoqërohet në këtë kampionat nga Presidenti i Federatës së Gjimnastikës Artistike Leonard Lulaj, si dhe Sekretarja e Komitetit Olimpik Shqiptarë, Eljana Karaj.





