Avokati Arianit Koci: Një i ri nga Kosova u ndalua nga policia serbe në Horgosh, po e ndjekim rastin

Arianit Koci ka bërë të ditur se një i ri nga Kosova është ndaluar nga policia serbe në pikën kufitare të Horgoshit, në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte nga Gjermania drejt Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Koci tha se informacionin e ka marrë nga një burim, identitetin e të cilit e ka konfirmuar, ndërsa bëri të ditur se i riu, i lindur në vitin 1997, vazhdon të mbahet në ambientet e policisë kufitare.
Sipas tij, gjatë kontrollit të automjetit është gjetur një emblemë e UÇK-së nën ulësen e veturës, për të cilën, sipas burimit, i riu nuk kishte dijeni. Në automjet janë gjetur edhe disa monedha të argjendta.
Koci theksoi se deri më tani nuk ka informacion të konfirmuar mbi statusin procedural të të riut, ndërsa shtoi se, sipas të dhënave që disponon, sjellja e policisë serbe ka qenë korrekte.
Avokati bëri të ditur se nuk do ta publikojë identitetin e të ndaluarit dhe se do të vijojë ta ndjekë rastin, duke premtuar se do të njoftojë publikun nëse do të ketë zhvillime të reja dhe të konfirmuara.

