Lirohet i riu nga Kosova i ndaluar në Horgosh/ Koci: Procedura vazhdon

Lirohet i riu nga Kosova i ndaluar në Horgosh/ Koci: Procedura vazhdon

Avokati Arianit Koci ka njoftuar se është liruar i riu nga Kosova, i cili ishte ndaluar më herët nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Horgoshit, gjatë udhëtimit të tij nga Gjermania drejt Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku shprehu kënaqësinë për lirimin e të riut dhe tha se, megjithëse kontributi i tij ishte modest, beson se ka ndihmuar në momentin e duhur.

“I lumtur sa s’ka! Kontributi im ishte modest, por besoj se ndihmoi në momentin e duhur”, shkroi Koci.

Ai shtoi se i riu, i lindur në vitin 1997, është pothuajse moshatar me djalin e tij, gjë që, sipas avokatit, e bëri ta përjetonte rastin edhe më emocionalisht.

“Me rëndësi është që tash është i lirë. Procedura vazhdon”, përfundoi Koci.

I riu ishte ndaluar nga policia serbe në Horgosh pasi gjatë kontrollit të automjetit ishte gjetur një emblemë e UÇK-së, ndërsa sipas Kocit, ai nuk kishte dijeni për praninë e saj në automjet. Procedurat ligjore lidhur me rastin pritet të vazhdojnë.

EMISIONET