Fishekzjarre në shtëpinë Milan, “Kaká” i ri vishet kuqezi në fillim të javës

Marrëveshje totale, Milani gjen më në fund pasardhësin e Ricardo Kaká. Pas shumë javëve bisedime të stërzgjatura, klubi kampion i Italisë dhe Club Brugge arrijnë marrëveshjen për transferimin e mesfushorit Charles De Ketelaere në Milano.
32 milionë euro plus 3 bonuse për një marrëveshje që në total kënaq belgët pasi në rast të shitjes së mundshme në të ardhmen, ata do të përfitojnë një shumë të konsiderueshme. Kontratë për 5 sezone me 2.3 milionë në sezon për talentin belg që refuzoi shifra më të larta nga Leeds vetëm për të nënshkruar me kuqezinjtë.
Firma do të vijë të hënën pas testeve mjekësore dhe gjatë javës së ardhshme lojtari do të vihet nën urdhrat e Stefano Piolit.
Ky është transferimi më i rëndësishëm i Milanit në këtë merkato verore që reflekton edhe mënyrën se si po punojnë Maldini e Massara, të cilët kërkojnë të riniovojnë ekipin me emra premtues që kanë në këmbët e tyre shumë talent.
De Ketelaere është vetëm 21 vjeç dhe ka mundësinë për të bërë hapin e madh në gjurmët e brazilianit Kaká.

