Dietë speciale për Haaland dhe Norvegjinë në Botëror, 300 kg peshk dhe mijëra portokalle mbërrijnë në SHBA !

Erling Haaland dhe shokët e tij të kombëtares do të ndjekin një regjim të veçantë ushqimor gjatë FIFA World Cup 2026, falë një organizimi të detajuar të Federatës Norvegjeze të Futbollit.
Për të siguruar që lojtarët të vazhdojnë të ushqehen me produktet që konsumojnë zakonisht në vendlindje, Norvegjia ka përfshirë në delegacion tre kuzhinierë të njohur: Aron Espeland, Eirik Tufte dhe Christian Karlsson, i cili punon me ekipin që prej viteve ’90.
Sipas mediave norvegjeze, përgatitjet për menunë e Botërorit kanë nisur që një vit më parë. Lëndët e para janë transportuar nga Norvegjia drejt SHBA-së për t’u garantuar futbollistëve ushqime të njohura dhe në përputhje me dietat e tyre të zakonshme.
Në bagazhet e kombëtares gjenden rreth 300 kilogramë peshk, përfshirë salmon dhe lloje të tjera, 116 kilogramë djathë tradicional norvegjez dhe më shumë se 6.000 portokalle, të cilat do të përdoren për përgatitjen e rreth 15 litrave lëng të freskët çdo mëngjes.
Gjatë qëndrimit në Greensboro, ku temperaturat pritet të kalojnë 35 gradë Celsius, kuzhinierët do të përgatisin katër bufe në ditë për lojtarët, duke përshtatur menunë me kushtet klimatike dhe nevojat fizike të ekipit.
Ky organizim tregon se Norvegjia nuk po lë asgjë rastësisë në prag të Botërorit, duke u kujdesur jo vetëm për aspektin sportiv, por edhe për ushqimin dhe mirëqenien e futbollistëve deri në detajin më të vogël.

