Bylisi gati për sezonin e ri, rikthimi në Superiore mbetet misioni kryesor!

Bylisi gati për sezonin e ri, rikthimi në Superiore mbetet misioni

Bylisi ka nisur planifikimin për sezonin e ardhshëm, ku objektivi kryesor mbetet rikthimi i menjëhershëm në elitën e futbollit shqiptar. Skuadra mallakastriote pritet të zbresë në fushën e stërvitjes në fillim të muajit korrik për të nisur përgatitjet për kampionatin e ri.

Para nisjes së fazës përgatitore, drejtuesit e klubit do të fokusohen te përzgjedhja e trajnerit të ri. Më pas do të zhvillohet një periudhë seleksionimi prej 10 deri në 14 ditësh, ku do të testohen futbollistë nga akademi brenda dhe jashtë vendit, si dhe lojtarë që kanë spikatur në kampionatet shqiptare.

Aktualisht, drejtuesit janë të përqendruar te merkatoja në dalje. Disa prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës kanë tërhequr interesin e klubeve të tjera, ndërsa Bylisi synon të përfitojë maksimalisht nga transferimet e mundshme. Klubi po shqyrton mundësinë e shitjes së disa futbollistëve, duke synuar jo vetëm të ardhura financiare, por edhe ruajtjen e përqindjeve të kartonit për transferime të ardhshme.

Në Ballsh shpresojnë të realizojnë tre ose katër transferime jashtë vendit, një hap që do të konfirmonte punën e bërë me talentet e klubit dhe do të sillte përfitime të rëndësishme për të ardhmen.

Paralelisht, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe akademisë, ndërsa prioritetet e momentit mbeten kompletimi i stafit teknik dhe menaxhimi i merkatos. Vetëm pas mbylljes së këtyre proceseve do të nisë puna për afrimet që do të ndërtojnë skuadrën e sezonit të ri.

EMISIONET