I riu shihet si pasardhësi i Hysajt në Kombëtare, Bulku zbulon prapaskenat me Kurtulan: Jemi në bisedime, shpresojmë ta kemi në ndeshjet e shtatorit

Kombëtarja në vitet e fundit po has vështirësi për të gjetur lojtarë të nivelit të lartë, që të mund të sigurojë një vazhdimësi edhe për vitet e ardhshme. Një nga pikat më kritike është krahu i djathtë i mbrojtjes, ku Balliu është tërhequr dhe Hysaj tashmë ka 32 vite mbi supe.
Arda Kurtulan shihet si objektivi i madh, pasi mbrojtësi i Goztepe në Turqi besohet se është njeriu i duhur për të marrë stafetën e Hysajt në të ardhmen. Në lidhje me këtë çështje së fundmi ka folur ndihmësi i trajnerit Rolando Maran, Ervin Bulku.
Ai zbulon se është në bisedime të avancuara me Kurtulan, por ky i fundit ka kërkuar pak kohë, pasi fillimisht ai duhet të zgjidhë të ardhmen e tij sa i përket klubit.
“Dera e ekipit kombëtar është e hapur. Është dëshirë e madhe që ne të kemi sa më shumë lojtarë dhe sa më shumë cilësorë. Për momentin akoma nuk kemi gjetur një zëvendësues, që të jetë në nivelin e Hysajt ose edhe më i mirë se ai.
Jemi në bisedime me Kurtulan. Është një lojtar që është aktivizuar me të gjithë ekipet e moshave dhe më së fundmi ka qenë me kombëtaren U-21 të Alban Bushit. Por biseda e fundit që ka qenë para ndeshjeve miqësore, nga trajneri dhe nga ne me babain, me Kurtulan vetë personalisht, dhe me menaxherin e tij.
Ka një problem për çështjen e lojtarëve ekstrakomunitarë. Pritet që Kurtulan të ndryshojë skuadër ose të sqarojë skuadrën e tij me klubin ku ndodhet për momentin.
Dhe presim dhe shpresojmë shumë, që ta kemi në ndeshjet zyrtare nëse trajneri ynë vendos që ta kemi pjesë të grupit”, u shpreh Bulku në emisionin në “Shtëpinë e Futbollit” për rastin e Kurtulan.

