BOTËRORI/ Shkëlqen Messi, zhgënjen CR7! Anglia dhe Argjentina i mbyllin grupet me fitore, ngec Portugalia ndaj Kolumbisë

Anglia siguroi vendin e parë në Grupin L të Botërorit 2026 pasi mposhti Panamanë me rezultatin 2-0 në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, të zhvilluar në Nju Jork.
Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel hasi vështirësi gjatë pjesës së parë dhe në fillimin e së dytës, por arriti të zhbllokojë sfidën në minutën e 62-të me Jude Bellingham, i cili realizoi me një goditje të bukur pas një goditjeje nga këndi.
Vetëm pesë minuta më vonë, Harry Kane dyfishoi epërsinë me kokë. Në kohën shtesë, Panamasë iu anulua një gol që do të ishte historiku i parë i saj në këtë kompeticion.
Ndërkohë, Kolumbia dhe Portugalia barazuan 0-0 në ndeshjen e Grupit K. Kolumbianët u shfaqën më kërkues dhe arritën të gjenin rrugën e rrjetës në pjesën e dytë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Kolumbia e mbylli grupin në vendin e parë me 7 pikë, ndërsa Portugalia u rendit e dyta dhe në fazën e 1/16-ave do të përballet me Kroacinë.
Në Grupin J, Argjentina vazhdoi formën perfekte duke mposhtur Jordaninë 3-1. Giovani Lo Celso hapi serinë e golave, Lautaro Martinez shënoi nga pika e bardhë për 2-0, ndërsa Lionel Messi vulosi fitoren me një goditje dënimi spektakolare.
Argjentina e mbylli grupin me pikë të plota dhe konfirmoi statusin e një prej favoriteve kryesore për titullin botëror.


