Shtrepi: Belgjika “u zgjua” nga presioni i eliminimit duke dhuruar një spektakël të vërtetë

Josel Shtrepi në emisionin “Ora e Botërorit” në “Ora News”, deklaroi se Belgjika ka arritur të sigurojë tre pikët dhe të pozicionohet në krye të grupit, pavarësisht një fillimi të vështirë në këtë turne.

Pas dy ndeshjeve të para të karakterizuara nga mungesa e harmonisë dhe një lojë që linte për të dëshiruar, skuadra tregoi një fytyrë krejtësisht tjetër përballë Zelandës së Re.

Nën presionin e një eliminimi të mundshëm, u vu re një zgjim i atij që njihet gjerësisht si "brezi i artë" i futbollit belg.

Lojtarët treguan brumin e vërtetë të kampionëve duke dhuruar një spektakël në fushën e blertë me një lumë golash.

Yjet e ekipit si Kevin De Bruyne, Romelu Lukaku dhe Leandro Trossard gjetën rrugën e rrjetës, duke vulosur një fitore bindëse që ndryshon tërësisht perceptimin mbi formën e tyre aktuale.

Kjo përballje ekspozoi dy anët e medaljes për ekipin kombëtar belg: nga një skuadër e ftohtë dhe e pamotivuar në fillim, në një makineri spektakli kur ndodhet me shpatulla pas murit. Edhe pse disa nga yjet kryesorë mund të jenë drejt viteve të fundit të karrierës së tyre, ata dëshmuan se ende kanë klasin e duhur për të bërë diferencën.

Tashmë mbetet për t'u parë nëse ky presion do të vazhdojë t'i mbajë ata të artë edhe në sfidat e ardhshme të kompeticionit.

PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN “ORA E BOTËRORIT” NË “ORA NEWS”

EMISIONET