Asllani: Fillimi pozitiv me Maran, shpresoj të qëndroj te Besiktasi

Asllani: Fillimi pozitiv me Maran, shpresoj të qëndroj te Besiktasi

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, foli pas humbjes 1-0 ndaj Izraeli në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Air Albania Stadium, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës dhe punën e trajnerit. Asllani u shpreh se ekipi po përshtatet me idetë e trajnerit të ri, duke theksuar se filozofia e tij bazohet te presingu i lartë dhe agresiviteti në lojë.

“Ka qenë shumë pozitiv. Trajneri është një njeri shumë i mirë. Kërkon presing të lartë dhe agresivitet. Në pjesën e parë hasëm vështirësi, pasi ata luanin me dy mesfushorë dhe unë me Ramadanin duhej të vendosnim nëse do të dilnim përpara apo jo.

Në pjesën e dytë shkuam pothuajse 1 kundër 1 dhe zhvilluam një lojë më të mirë. Na vjen keq për golin e pësuar, sepse besoj se bëmë një paraqitje të mirë”, deklaroi mesfushori kuqezi.

Duke folur për konkurrencën në skuadër, Asllani theksoi se vendimet për formacionin i takojnë trajnerit, ndërsa të gjithë lojtarët janë të gatshëm të japin kontributin e tyre.

“Zgjedhjet i bën trajneri, por të gjithë çunat janë gati. Është e vështirë të luash në këtë periudhë, pasi kampionatet kanë përfunduar. Megjithatë, jemi stërvitur mirë dhe tani presim ndeshjen e radhës ndaj Luksemburgu”, shtoi ai.

Në fund, Asllani komentoi edhe situatën e tij në nivel klubesh, duke lënë të hapur të ardhmen.

“Nuk e di ende se çfarë do të ndodhë. Besiktasi ka të drejtën e blerjes deri më 15 qershor. Jam ndier shumë mirë atje dhe kam luajtur në të gjitha ndeshjet. Shpresoj të qëndroj, por mbetet për t’u parë”, përfundoi Asllani.

EMISIONET