Pse ia vlen të zgjidhni fluturimet e mëngjesit? Më pak vonesa, më pak turbulenca dhe bileta më të lira

Nëse jeni nga ata që shmangin çdo alarm para agimit, ndoshta është koha ta rishikoni këtë zakon, të paktën kur bëhet fjalë për udhëtimet. Fluturimet e mëngjesit nuk janë vetëm më të qeta, por sipas ekspertëve, kanë edhe shumë më tepër avantazhe sesa ato të pasdites apo mbrëmjes.
Sipas Travel + Leisure, fluturimet që nisen herët kanë më pak gjasa të vonohen ose të anulohen. Të dhënat e Raportit të Expedia-s për “Air Travel Hacks” kanë treguar ndër vite se fluturimet pas orës 15:00 kanë mesatarisht 50% më shumë gjasa të anulohen krahasuar me ato që nisen në orët e para të ditës.
Arsyeja është e thjeshtë: në mëngjes trafiku ajror është më i ulët dhe aeroportet nuk janë ende të ngarkuara nga vonesat që krijohen gjatë ditës. Sipas Forbes, në këtë orar hapësira ajrore është më e lirë, ndërsa kontrollorët e trafikut ajror nuk përballen ende me fluksin e madh të avionëve.
Një tjetër avantazh? Nëse fluturimi juaj anulohet, keni më shumë mundësi të gjeni një fluturim alternativ gjatë të njëjtës ditë.
Edhe turbulencat kanë tendencë të jenë më të pakta në fluturimet e mëngjesit. Laboratori Kombëtar i Stuhive të Rënda në SHBA shpjegon se shumica e stuhive zhvillohen gjatë pasdites, ndaj fluturimet e hershme zakonisht përballen me kushte më të qeta.
Po kursimet? Edhe ato janë në anën e “personave të hershëm”. Sipas të dhënave të Kayak për Travel + Leisure, fluturimet ndërkombëtare që nisen mes orës 04:00 dhe 09:00 janë mesatarisht rreth 13% më të lira se ato që nisen në fillim të pasdites.
Pra, edhe pse zgjimi para lindjes së diellit mund të mos tingëllojë aspak joshës, ai mund t’ju kursejë para, t’ju shmangë vonesat dhe t’ju ofrojë një udhëtim shumë më të qetë. Ndonjëherë, alarmi i hershëm ia vlen.

