Alarm për mot ekstrem në Botërorin 2026, Anglia përgatitet për tornado, stuhi dhe përmbytje

Përveç sfidave sportive, ekipet pjesëmarrëse në Kupën e Botës 2026 mund të përballen edhe me kushte të jashtëzakonshme atmosferike.
Ekspertët paralajmërojnë se turneu mund të zhvillohet nën ndikimin e një fenomeni klimatik shumë të fuqishëm të njohur si “Godzilla El Niño”, i cili pritet të sjellë temperatura ekstreme, lagështi të lartë, stuhi të forta, tornado dhe përmbytje në pjesë të ndryshme të Amerikës së Veriut.
Kombëtarja e Anglisë, e udhëhequr nga kapiteni Harry Kane, do të vendoset në Kansas City, një zonë e njohur si pjesë e “Tornado Alley” (Korridori i Tornadove), ku stuhitë dhe tornadot janë dukuri të zakonshme. Vetëm pak ditë para mbërritjes së ekipit, autoritetet kishin lëshuar paralajmërime për tornado në rajon, të cilat më pas u ulën në nivel alarmi për stuhi të forta me erëra rrotulluese.
Shkencëtarët po shprehin shqetësim për ndikimin që mund të ketë fenomeni El Niño gjatë viteve 2026-2027. Sipas tyre, temperaturat rekord të ujërave oqeanike kanë forcuar ndjeshëm sistemin klimatik, duke rritur rrezikun e përmbytjeve, thatësirave dhe zjarreve në shkallë globale.
Edhe kombëtarja angleze ka provuar tashmë efektet e motit të paqëndrueshëm. Ndeshja e fundit miqësore ndaj Kosta Rikës në Orlando të Floridës u shty për rreth një orë, pasi një stuhi tropikale përmbyti fushën dhe u shoqërua me vetëtima e bubullima intensive.
Për këtë arsye, lojtarët e trajnerit Thomas Tuchel do të marrin udhëzime të posaçme mbi procedurat e sigurisë në rast të një tornadoje. Skuadra do të akomodohet në një hotel në Prairie Village, pranë Kansas City, ku janë parashikuar trajnime dhe informime për situatat emergjente.


