Alarm për Cikalleshin dhe Dakun, Manaj po bën namin, 8 gola në 13 ndeshje, sinjale Sylvinhos
Sulmuesi shqiptar Rey Manaj po kalon periudhën më të mirë të karrierës së tij pas transferimit në Sivasspor, kampionatin turk.
Pas mbi pesë muajve si lojtar i lirë nga Watford, në gusht të këtij viti gjeti një “shtëpi” të re në Sivasspor.
Kjo lëvizje doli të ishte e duhura për të, pasi Manaj po shkëlqen në këtë edicion të ri të garave, duke qenë njëri ndër lojtarët më në formë të ekipit.
26-vjeçari ka shënuar 8 gola në 13 ndeshje të luajtura këtë sezon ku 3 prej tyre erdhën ndaj Trabzonspor dhe Fenerbahce.
Kjo formë e tij e mirë padyshim qe nuk mund të kalojë pa rënë në sy të stafit të trajnerëve të kombëtares së Shqipërisë.
Megjithëse konkurrenca për një vend në kombëtare është e ashpër, UEFA ka vendosur që për këtë turne të thirren vetëm 23 lojtarë dhe jo 26 siç ka qenë më parë, duke e bërë kështu procesin e përzgjedhjes më të vështirë për trajnerin Sylvinho.
Me tetë gola të shënuar, Manaj po shfaqet si sulmuesi më në formë i Shqipërisë. Pas tij vjen Ernest Muçi me shtatë gola, duke i dhënë shpresë për një vend në ekipin kombëtar.
Nëse vazhdon këtë formë të shkëlqyer, me shumë mundësi do të përfshihet në ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Evropian, i cili do të mbahet në Gjermani.