Shtyhet me 3 muaj afati i kolaudimit
Prej 1 janarit, kontrolli teknik i automjeteve është ndërpreë. Përmes një akti normativ, qeveria ka vendosur shtyrjen e afatit edhe me 3 muaj, teksa argumenti është dhënë për shkak të pandemisë. Deri në shkurt koncesionari do të bëjë dorëzimin e dokumenteve drejt administratës shtetërore.
Për të gjithë drejtuesit që në këto muaj qarkullojnë pa kontrollin teknik të automjeteve nuk do të ketë gjoba.
Komisioni parlamentar i Ligjeve ka miratuar shtyrjen me tre muaj të afatit të kolaudimit.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Etjen Xhafaj, u shpreh se kjo bëhet me qëllim shmangien e grumbullimeve dhe nuk ka të bëjë me kontratën koncesionare.
"Kjo vjen për shkak të domosdoshmërisë së marrjes së masave në përballimin e pandemisë. Kontrata e koncesionit ka përfunduar dhe i është kthyer shërbimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, nuk është prishur por ka përfunduar."
Për shkak të përfundimit të marrëveshjes, nga dhjetori kontrolli teknik është ndërprerë, teksa gjithçka poi kalon administratës shtetërore.
"E kuptoj që ka qenë një kohë shumë e shkurtër sepse vendimmarrja politike në nivel të lartë për të vendosur kthimin apo jo të këtij shërbimi te DRSHTRR vonoi dhe është bërë në fillim të dhjetorit. Koha në dispozicion e jona për të punuar me Ministrinë për politikat ka qenë e shkurtër. Në muajin shkurt besoj se do të kemi njoftime të reja për shërbimin dhe për publikun, për ti bërë të mundura të gjitha në tremujorin që ne po themi".
Akti normativ ka hyrë në fuqi në momentin e miratuar nga qeveria, por kuvendi ka detyrim ta kthejë në ligj brenda 45 ditëve.
