Shqipëria e Kosova, fond të përbashkët për shqiptarët e Preshevës

Shqipëria e Kosova, fond të përbashkët për

Kosova vendosi të themelojë një zyrë të posaçme për Luginën e Preshevës. Sipas kryeministrit Hoti përmes saj do të mbrohen dhe nxiten të drejtat e shqiptareve në fushën e arsimit. Gjithashtu në bashkëpunim me Shqipërinë do të ngrihet një fond i posaçëm për Luginën. Kjo është pjesë e 15 marrëveshjeve që dy qeveritë shqiptare do të diskutojnë në takimin e tyre të 2 tetorit në Shkodër.

Shqipëria dhe Kosova do të krijojë një fond të përbashkët për mbështetjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kjo është një prej 15 marrëveshjeve që dy qeveritë shqiptare do të diskutojnë në takimin e tyre të përbashkët më 2 tetor në Shkodër.

Qeveria e Kosovës votoi të hënën gjithashtu themelimin e zyrës për Luginën e Preshevës, përmes së cilës do të mbrohen dhe nxiten të drejtat e shqiptareve atje në fushën e arsimit dhe fusha të tjera.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se në ditët në vijim do të takojë edhe përfaqësuesit e Luginës.

 “Në mbështetje të shkollave, furnizimit me libra, me materiale të ndryshme mësimore, mbështetje në aktivitetet kulturore, në promovimin dhe ruajtjen e kulturës në atë pjesë, në mbështetje që do të japim në punim, duke nxitur bashkëpunimin në mes odave ekonomike, në mes bizneseve dhe duke promovuar drejtpërdrejtë punësimin, përtej kësaj, në kuadër të marrëveshjeve që do të nënshkruajmë më Shqipërinë do të jetë edhe krijimi i fondit të përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë për mbështetje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, tha Hoti.

Mbledhja e dy qeverive shqiptare pritet të zhvillohet të premten në Shkodër, ku pritet të nënshkruhen 15 marrëveshje.

Ndër të tjera dy kryeministrat do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët e cila rekomandon që Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë të mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjeve që do arrihen në mes dy vendeve.

EMISIONET