Alarm për dëgjimin: Zhurmat e zakonshme të përditshmërisë mund të shkaktojnë dëmtime të pakthyeshme

Humbja e dëgjimit nuk shkaktohet vetëm nga zhurmat ekstreme si koncertet e muzikës së fortë apo shpërthimet. Shumë aktivitete të zakonshme të përditshme mund të dëmtojnë në heshtje veshët dhe pasojat mund të shfaqen vite më vonë.
Specialistët e dëgjimit paralajmërojnë se, ndryshe nga muskujt që mund të rikthehen me stërvitje, dëgjimi i humbur nuk mund të rikuperohet. “Kur humbet, humbet përgjithmonë”, thonë audiologët, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së veshëve që në moshë të re.
Brenda veshit ndodhet një strukturë e quajtur koklea, e mbushur me mijëra qeliza të vogla me qime që përkthejnë tingujt në sinjale për trurin. Ekspozimi i zgjatur ndaj zhurmave të forta mund t’i dëmtojë ose shkatërrojë këto qeliza, të cilat nuk rigjenerohen.
Koncertet dhe kufjet, rrezik edhe për të rinjtë
Ekspertët thonë se në shumë koncerte niveli i zërit mund të bëhet i dëmshëm për veshët pas vetëm 10–15 minutash. Për këtë arsye rekomandohen tapa speciale për muzikë që ulin volumin pa prishur cilësinë e tingullit.
Një shqetësim në rritje është përdorimi i kufjeve nga fëmijët dhe të rinjtë. Studimet tregojnë se ekspozimi i gjatë ndaj volumit të lartë mund të çojë në dëmtime të hershme të dëgjimit. Edhe fëmijë shumë të vegjël janë diagnostikuar me shenja dëmtimi nga përdorimi i pajisjeve elektronike me zë maksimal.
Një rregull i thjeshtë: nëse dikush pranë jush duhet të bërtasë për t’ju folur ndërsa mbani kufje, volumi është shumë i lartë.
Edhe puna në kopsht apo udhëtimi me makinë mund të ndikojnë
Pajisje si kositëset e barit, fryrëset e gjetheve, sharrat elektrike dhe veglat e tjera të punës mund të prodhojnë nivele të rrezikshme zhurme. Specialistët këshillojnë përdorimin e tapave mbrojtës ose kufjeve izoluese gjatë këtyre aktiviteteve.
Edhe drejtimi i makinës me xhamin hapur në autostradë mund të jetë problem. Zhurma e erës, e kombinuar me muzikën e ngritur për ta dëgjuar më mirë, krijon një ekspozim të dyfishtë ndaj dëmtimit të dëgjimit.
Kujdes edhe me përdorimin e tepërt të tapave
Edhe pse mbrojtja e veshëve është e rëndësishme, përdorimi i vazhdueshëm i tapave mund të sjellë probleme. Futja e objekteve në kanalin e veshit mund të shtyjë dyllin më thellë, duke shkaktuar bllokime, infeksione dhe ulje të dëgjimit.
Kur duhet të kontrolloni dëgjimin?
Humbja e dëgjimit nuk prek vetëm të moshuarit. Ekspertët këshillojnë kontroll mjekësor sapo të shfaqen shenja si:
vështirësi për të ndjekur bisedat në ambiente me zhurmë;
ndjesi zhurme ose fishkëllime në vesh;
nevojë për të rritur vazhdimisht volumin e televizorit apo telefonit.
Mjekët theksojnë se mbrojtja e dëgjimit duhet të nisë herët, sepse qelizat që humbasim në vesh nuk rikthehen më./Përshtatur nga BBC

