Britania dhe BE godasin Rusinë me sanksione të reja, akuzat për sulme kibernetike ndaj Evropës

Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë, duke e akuzuar Moskën për përfshirje në një seri sulmesh kibernetike që synojnë destabilizimin dhe krijimin e përçarjeve në Evropë.
Masat e reja prekin individë dhe subjekte të lidhura me shërbimet ruse të inteligjencës. Londra ka vendosur sanksione ndaj 24 personave dhe organizatave, ndërsa BE ka përfshirë në listën e masave 13 individë dhe subjekte, mes tyre edhe oficerë të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse GRU.
Për herë të parë, Britania dhe Brukseli kanë identifikuar së bashku Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) si përgjegjës për një sulm kibernetik ndaj rrjetit elektrik të Polonisë.
Sipas autoriteteve britanike, sulmi, i lidhur me “Qendrën FSB 16”, nuk arriti objektivin e tij kryesor, por shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike për rreth 500 mijë persona gjatë periudhës së dimrit.
Bashkimi Evropian ka lidhur të njëjtën strukturë edhe me operacione spiunazhi kibernetik ndaj institucioneve strategjike në Francë, të nisura që prej vitit 2010.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e udhëtimeve në territorin e BE-së. Britania dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur më herët mijëra masa ndaj individëve dhe organizatave që akuzohen për mbështetje të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe për aktivitete hibride kundër vendeve evropiane.
Gjermania ka thirrur ambasadorin rus për të kundërshtuar atë që i cilëson aktivitete kibernetike keqdashëse ndaj saj, partnerëve të BE-së dhe Ukrainës. Berlini ka paralajmëruar edhe masa të tjera nëse sulmet vijojnë.
Edhe Franca pritet të thërrasë ambasadorin rus në Paris për një fushatë të dyshuar kibernetike ndaj disa vendeve evropiane, përfshirë Francën.
Përplasja diplomatike mes Moskës dhe vendeve perëndimore po zgjerohet edhe në fushën kibernetike, ku autoritetet evropiane pretendojnë se sulmet ndaj infrastrukturës dhe institucioneve janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të dobësuar sigurinë e kontinentit.


