Blushi: 4.2 mln euro të grabitura nga Fondi i Emergjencave, prova e zhvatjes dhe braktisjes së shqiptarëve
DEKLARATA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË SË LIRISË
Shqipëria është sot në qendër të mediave ndërkombëtare jo për ndonjë arritje, por për skandalin e radhës që ka turpëruar vendin dhe ka tronditur opinionin publik, shpërdorimin e 4.2 milionë eurove të taksave të shqiptarëve për financimin e një koncerti privat, në një kohë kur qytetarët jetojnë nën peshën e rëndë të varfërisë ekstreme dhe keqqeverisjes dhe kur shërbimet publike janë në kolaps total.
Në vend që këto 4.2 milionë euro t'u shkonin pensionistëve që nuk përballojnë dot jetesës, familjeve në nevojë, fermerëve që po falimentojnë, spitaleve që vuajnë mungesën e barnave dhe pajisjeve që shpëtojnë jetë, shkollave që mbyllen njëra pas tjetrës apo të rinjve që largohen çdo ditë nga Shqipëria, ato u hodhën për financimin e një eventi privat, pa asnjë lidhje me interesin publik dhe pa asnjë justifikim moral apo ligjor.
Edhe më tronditës është fakti se këto miliona euro janë marrë nga Fondi i Emergjencave.
Ky fond nuk ekziston për luksin dhe propagandën e Kryeministrit. Ai ekziston për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në rast zjarresh, përmbytjesh, tërmetesh apo fatkeqësish të tjera natyrore.
Por për Edi Ramën emergjencë nuk kanë qenë kurrë hallet e shqiptarëve.
Emergjencë është vetëm rënia e propagandës së tij. Emergjencë është fakti se po digjet fasada e mashtrimit, po shembet miti i gjoja paprekshmërisë dhe mos cënimit të një qeverisjeje kriminale që ka prodhuar vetëm korrupsion, varfëri, dhunë dhe shpopullim.
Emergjencë është revolta qytetare që po fundos çdo ditë e më shumë narkoregjimin dhe po nxjerr në dritë grabitjen sistematike të parave publike.
Dhe pikërisht në emër të kësaj "emergjence" politike, Edi Rama vendosi të grabisë edhe 4.2 milionë euro nga taksat e qytetarëve më të varfër të Europës për të financuar një spektakël privat.
Ky është promovimi më i shëmtuar i modelit të keqqeverisjes, arbitraritetit dhe papërgjegjshmërisë që ka shndërruar shtetin në pronë personale të Edi Ramës.
Nëse ky skandal ka shokuar median ndërkombëtare dhe opinionin publik brenda e jashtë vendit, ekziston vetëm një institucion që vazhdon të sillet sikur nuk ka ndodhur absolutisht asgjë, SPAK-u.
Përballë një transaksioni prej 4.2 milionë eurosh nga fondi i emergjencave, përballë përdorimit të parave publike për një aktivitet privat dhe përballë dyshimeve të rënda për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet shtetërore, SPAK vazhdon të heshtë.
Kur bëhet fjalë për opozitën, mjaftojnë thashethemet, indiciet apo kallëzimet më absurde për të ngritur procese spektakolare, për të organizuar konferenca shtypi dhe për të prodhuar shoë mediatik.
Kur bëhet fjalë për Edi Ramën, nuk mjaftojnë as 4.2 milionë euro të taksave të shqiptarëve.
Hetuesit do të duhet ishin dje dhe jo sot në Kryeministri dhe në çdo institucion që ka autorizuar, miratuar, firmosur apo ekzekutuar këtë pagesë, duke sekuestruar çdo dokument dhe duke marrë në përgjegjësi çdo zyrtar të përfshirë.
Sepse përballë 4.2 milionë eurove të parave të shqiptarëve nuk ka vend për heshtje, justifikime por ka vetëm një detyrim, zbatimin pa hezitimit të ligjit.
Por, pavarësisht heshtjes së SPAK-ut, një gjë është e sigurt.
Edi Rama nuk do t'i shpëtojë kurrë llogaridhënies për barbarinë që ka ushtruar ndaj financave publike.
Historia e keqqeverisjes së tij është historia e një narkopushteti që ka trajtuar taksat e shqiptarëve si pronë personale, që ka grabitur fondet, tokat dhe pasuritë publike për propagandë, luks dhe interesa klienteliste, ndërsa qytetarëve u ka lënë varfërinë, dëbimin nëpërmjet axhendës antikombëtare të shpopullimit dhe shkatërrimin e shërbimeve më jetike.
Asnjë propagandë, asnjë koncert, asnjë spektakël i paguar me paratë e shqiptarëve nuk mund ta fshehë këtë realitet.
Asnjë mekanizëm politik dhe asnjë mburojë institucionale nuk mund ta mbrojë përgjithmonë nga përgjegjësia.
Sepse paratë publike nuk janë pronë e Kryeministrit ato u përkasin qytetarëve shqiptarë.
Dhe për çdo cent të shpërdoruar, për çdo fond të grabitur dhe për çdo vendim që ka cenuar interesin publik, Edi Rama do të japë llogari para ligjit dhe para qytetarëve të Shqipërisë.
Llogaridhënia mund të vonohet, por nuk mund të shmanget.


