Francë-Spanjë me arbitër historik, FIFA zgjedh Ivan Barton për gjysmëfinalen e Botërorit

Ivan Barton do të jetë arbitri që do të drejtojë një nga sfidat më të mëdha të Botërorit 2026. FIFA ka caktuar gjyqtarin nga El Salvadori për gjysmëfinalen mes Francës dhe Spanjës, duel që do të zhvillohet të martën në stadiumin “AT&T” në Arlington.
Për Barton kjo do të jetë ndeshja e katërt në këtë edicion të Kupës së Botës. 35-vjeçari ka drejtuar më herët përballjet Turqi - Paraguai dhe Japoni - Suedi në fazën e grupeve, si dhe Zvicër - Kolumbi në fazën me eliminim direkt.
Arbitri nga Amerika Qendrore ka tashmë një eksperiencë të madhe në turnetë madhore. Ai ka gjykuar edhe tri ndeshje në Botërorin e Katarit 2022 dhe është arbitri nga rajoni i tij me numrin më të lartë të sfidave të drejtuara në historinë e Kupës së Botës.
Gjatë karrierës së tij, Barton ka menaxhuar mbi 300 ndeshje, ku ka nxjerrë më shumë se 1 400 kartonë të verdhë dhe 86 kartonë të kuq.
Emri i tij u bë pjesë e historisë së futbollit edhe gjatë këtij Botërori, pasi ishte arbitri i parë që zbatoi të ashtuquajturin “Ligji Vinicius”. Në sfidën Turqi - Paraguai, ai ndëshkoi me karton të kuq Miguel Almiron, pasi lojtari mbuloi gojën gjatë komunikimit me një kundërshtar.
Rregulli i ri, i miratuar nga FIFA në vitin 2026, parashikon përjashtimin nga loja për futbollistët që mbulojnë gojën gjatë komunikimit me kundërshtarët, me qëllim parandalimin e sjelljeve të papërshtatshme dhe ruajtjen e transparencës në komunikim.
Tashmë Barton përgatitet për një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e tij, duke marrë përgjegjësinë e drejtimit të një gjysmëfinaleje mes dy prej kombëtareve më të forta të Botërorit.


