Shaqiri: Askush s'mund ta refuzojë Bayernin

Xherdan Shaqiri është mjaft i lumtur nga lajmi se Robert Lewandowski do të bashkohet me Bayernin në fund të sezonit, teksa thekson se bavarezët nuk kanë një strategji për të dobësuar rivalin e në këtë rast bëhet fjalë për Dortmundin. Para sulmuesit polak që firmosi për 5 vjet, nga verdhezinjtë u largua një tjetër yll si Gotze, por për mesfushorin shqiptar me pasaportë zviceriane, askush nuk mund t'i thotë jo një klubi si Bayerni.

"Eshtë diçka e madhe që Lewandowski do të vijë tek ne. Cilësitë e tij janë të padiskutueshme dhe do të na ndihmojë të fitojmë edhe më shumë tituj. Asnjë nuk mund ta refuzojë Bayernin, sidomos tani. Jemi të suksesshëm dhe kemi fituar shumë tituj, duke u bërë kështu një klub edhe më tërheqës".

Transferimi i Lewandowskit është shoqëruar me kritika, por Shaqiri këmbëngul se nga ana e bavarezëve nuk ka një strategji që synon të dobësojë kundërshtarin më të afërt.

"Bayerni do të vazhdojë të bëjë lëvizje në merkato dhe këtu nuk ka asnjë strategji. Nuk besoj se ka xhelozi nga klubet e tjerë" - u shpreh Shaqiri për Goal.com.

Veç temës së ditës, Xherdan Shaqiri foli edhe për diferencat që ekzistojnë mes ish trajnerit Heynckes dhe pasardhësit të tij. Për Guardiolën, ai tha se ka stil tjetër nga Heynckes, por objektivat mbeten të njëjta për ekipin, mbrojtja e titujve kampionë në Bundesliga, në Kupën e Gjermanisë dhe në Champions League.

EMISIONET