Serwer: Kosova t’i kushtojë kujdes sovranitetit

Serwer: Kosova t’i kushtojë kujdes sovranitetit

Ndërsa Parlamenti i Serbisë pritet të shqyrtojë sot projekt-rezolutën e propozuar si një platformë shtetërore për Kosovën, në Washington analistë, njohës të situatës në Ballkan e kanë quajtur atë ‘një platformë që ishte ëndërr e vetë Millosheviçit.’ Kështu është shprehur analisti Daniel Serwer në blogun e tij dhe në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve, Anadolu.

Serwer tërheq vërejtjen se me një qëndrim dhe platformë të tillë nga Serbia nuk përjashtohen edhe konfliktet e armatosura.

“Konfliktet e armatosura janë të mundshme pas iniciativës serbe. Kosova duhet t’i kushtojë kujdes sovranitetit në gjithë territorin e vetë për shkak të rreziqeve për sigurinë me të cilat mund të përballet në të ardhmen për shkak të këtyre tendencave serbe,” thotë Serwer.

Ai nënvizon dhe është i bindur se megjithatë tashmë ka kaluar koha e hartimit të kufijve dhe e tregtisë me territore, një gjë që sipas tij më nuk do ta lejojë bashkësia ndërkombëtare. Ai e quan platformën serbe një “ëndërr të Millosheviç, me të cilën Beogradi përpiqet të ruajë tendencën e sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës e në ndërkohë të krijojë një sistem ku serbët e Kosovës do të qeveriseshin ndaras”.

Analisti amerikan, profesor në Universitetin Johns Hopkins mendon se “Serbia ndonëse nuk e ka njohur zyrtarisht Kosovën, ajo në fakt e ka pranuar shtetin e Kosovë momentin që ka vendosur të ulet në një tavolinë me përfaqësuesit e saj”.

EMISIONET